Krasniqi: Qeveria sot e pranoi se s’është e aftë që të garantojë mbarëvajtjen e procesit zgjedhor

Aktuale

Krasniqi: Qeveria sot e pranoi se s’është e aftë që të garantojë mbarëvajtjen e procesit zgjedhor

Më: 10 dhjetor 2022 Në ora: 20:23
Memli Krasniqi

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka bërë një postim në Facebook, pas vendimit për shtyrjen e zgjedhjeve në veri.

Ai tha se përderisa për shpalljen e zgjedhjeve presidentja përmbushi një obligim kushtetues, siç tha ai, për shtyerjen e tyre ajo nuk ka një mandat të tillë.

“Sot, i jemi përgjigjur pozitivisht ftesës së Presidentes Osmani për takim konsultativ, duke konsideruar se mbajtja e zgjedhjeve në pjesën veriore të vendit, përveç obligim kushtetues, është edhe interes nacional. Që nga shpallja e zgjedhjeve, e tëra që kemi kërkuar si PDK nga Qeveria dhe institucionet përgjegjëse ka qenë garantimi i sigurisë dhe kushteve për zgjedhje të lira dhe demokratike. Por, fatkeqësisht, sot kuptuam se qeveria ka dështuar në zbatimin e mandatit të saj për t’i krijuar këto kushte. Përderisa për shpalljen e zgjedhjeve Presidentja përmbushi një obligim kushtetues, për shtyerjen e tyre ajo nuk ka një mandat të tillë. Konsensusi i kërkuar nga partitë politike sot nuk është obligim ligjor”.

“Tentimi i Presidentes dhe Kryeministrit për t’u fshehur prapa këtij konsensusi është një tjetër dëshmi e paaftësisë së tyre për t’i zbatuar obligimet kushtetuese dhe për të garantuar kushte e siguri për mbajtjen e zgjedhjeve në territorin e Republikës së Kosovës.Të vetëm, si PDK, pavarësisht qëndrimit tonë konsistent, ne nuk mund të imponojmë mbajtjen e zgjedhjeve në pjesën veriore të Kosovës, sepse instrumentet e nevojshme dhe përgjegjësinë shtetërore për këtë e ka Qeveria dhe institucionet e tjera përgjegjëse”, shkroi ai.

Krasniqi u shpreh se kjo qeveri sot e pranoi se nuk është e aftë që të garantojë mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

“Kjo Qeveri sot e pranoi se nuk është e aftë që të garantojë mbarëvajtjen e procesit zgjedhor të cilin e shkaktoi dhe e kërkoi edhe vet. Ky dorëzim i Qeverisë para bandave kriminale në pjesën veriore të Republikës së Kosovës e dobëson shtetin, e vështirëson edhe më tej gjendjen atje dhe e sfidon tutje rendin kushtetues.Instalimi i barrikadave sot në veri, në kohën kur po merrej vendimi për mosmbajtjen e zgjedhjeve, është dëshmi se kjo tërheqje e Qeverisë nga zbatimi i ligjit dhe kushtetutës e rrezikon edhe më shumë ushtrimin e sovranitetit të plotë në katër komunat e veriut. Qeveria duhet të jap përgjegjësi për këtë prapakthim dhe për dëmin që tashmë ia ka shkaktuar vendit më veprimet e veta të pamenduara”.

“Nëse kthehemi vetëm pak ditë prapa, kujtojmë se ishte pikërisht Kryeministri Kurti që nisi një zinxhir të veprimeve të pamatura dhe në kundërshtim me interesat e vendit dhe këshillat e aleatëve tanë kryesorë, SHBA-ve, të cilat si përfundim krijuan krizë institucionale e shtetërore atje. Ajo krizë, e cila vazhdoi të keqmenaxhohet, solli edhe zgjedhjet – për mbajtjen e të cilave Kryeministri dhe Qeveria tani u zbrapsën.Në këtë situatë sfiduese, PDK kërkon nga të gjitha institucionet relevante shtetërore që të rrisin vëmendjen dhe angazhimet e tyre në lidhje me pjesën veriore të Kosovës, për të rikthyer normalitetin dhe për të garantuar sovranitetin në çdo cep të shtetit tone”, shkroi tutje Krasniqi.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat