Mediumi prestigjioz Reuters ka shkruar një artikull në lidhje me situatën aktuale në veri të Kosovës.
Reuters permendi incidentin e mëhershëm në mes të policisë dhe grupeve kriminale serbe, të cilët shkëmbyen zjarr në mes vete, pas bllokimit të disa rrugëve në komunat veriore.
“Serbët e Kosovës dhe policia e vendit shkëmbyen zjarr të shtunën, pas një shpërthimi tensionesh në pjesën e paqëndrueshme veriore të vendit. Më herët gjatë ditës, serbët nga veriu i Kosovës bllokuan rrugët kryesore në veri, për të protestuar kundër arrestimit të një ish-pjesëtari të policisë së Kosovës, i cili u largua nga posti i tij muajin e kaluar së bashku me serbët e tjerë etnikë. Njësitet policore, në vetëmbrojtje, u detyruan t’u përgjigjen me armë zjarri kriminelëve, të cilët u zmbrapsën dhe vrapuan në drejtime të panjohura, thuhet në njoftimin e policisë”, thuhet në artikullin e Reuters.
Artikulli flet edhe për vendimin e presidentes së vendit, për shtyrjen e zgjedhjeve që ishte paraparë të mbaheshin më 18 dhjetor në Mitorvicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan e Zubin Potok, për 23 prill 2023 .
Në këtë shkrim flitet edhe për bllokimin e dy pikave kufitare në veri të vendit, Bërnjak e Jarinjë.
“Kryetarët serbë në komunat veriore të Kosovës, së bashku me gjykatësit vendas dhe rreth 600 policë, dhanë dorëheqje muajin e kaluar në shenjë proteste ndaj një vendimi të qeverisë për të zëvendësuar targat e makinave të lëshuara nga Beogradi me ato të Prishtinës”, thuhet tutje.
Aty përmendet edhe deklarata e presidentit serb Aleksadar Vuçiq, që i kërkoi KFOR-it që ta lejonte Serbinë të vendoste trupa dhe polici në Kosovë, megjithëse ai pranoi se nuk kishte asnjë shans për t’u dhënë leje.