Kurti i kundërpërgjigjet ashpër Vuçiqit, pasi kërcënoi ushtarakisht Kosovën

Aktuale

Kurti i kundërpërgjigjet ashpër Vuçiqit, pasi kërcënoi ushtarakisht Kosovën

Nga: A.ZH Më: 11 dhjetor 2022 Në ora: 10:55
Aleksandar Vuçiq dhe Albin Kurti

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i është kundërpërgjigjur presidentit serb Aleksandar Vuçiq, i cili ka kërcënuar me sjelljen e një mijë forcave ushtarake serbe në Kosovës.

Kurti ka thënë se Kosova nuk kërkon konflikt, por territorin e saj do ta mbrojë me vendosmëri dhe forcë, përcjell Bota sot.

“Presidenti dhe kryeministrja e Serbisë kanë kërcënuar edhe me agresion ushtarak, duke kërkuar që ushtria serbe të kthehet në territorin tonë. Ne nuk kërkojmë konflikt, por dialog dhe paqe. Por më lejoni të jem i qartë: Republika e Kosovës do të mbrohet me vendosmëridhe forcë”, ka shkruar Kurti, në një postim në Twitter.

Ai ka thënë se bandave kriminale në veri po u mungon preteksti për sulme, pas zgjidhjes së çështjes së targave dhe shtyrjes së zgjedhjeve.

“Me zgjidhjen e çështjes së targave dhe vonesën e zgjedhjeve, bandave kriminale në veri të Kosovës u mungon edhe preteksti më i dobët për barrikada dhe sulme të dhunshme ndaj Policisë së Kosovës. Në bashkëpunim me@NATO_KFOR,ne po punojmë për të adresuar situatën shpejt dhe në mënyrë paqësore”, ka shkruar Kurti më tej.

Rrugët në veri të vendit vazhdojnë të jenë bllokuara, ndonëse situata aktualisht është e qetë. Serbët kanë vendosur barrikada, pas arrestimit të ish-policit serb Dejan Pantiq./Botasot

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat