Hamiti i KQZ-së: Kemi dështuar si Kosovë në procesin e zgjedhjeve

Aktuale

Hamiti i KQZ-së: Kemi dështuar si Kosovë në procesin e zgjedhjeve

Më: 11 dhjetor 2022 Në ora: 12:29
Mbledhja e KQZ-së

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë vendim për pezullimin e të gjitha aktiviteteve të planifikuara më herët për përgatitjen e zgjedhjeve të datës 18 dhe 25 dhjetor, pas vendimit të Presidentes Vjosa Osmani për shtyrjen e zgjedhjeve dhe caktimin e datës së re për mbajtjen e tyre.

Po ashtu, KQZ-ja u dakordua për hartimin e një plani të ri operacional për organizimin e zgjedhjeve të cilat janë caktuar të mbahen më 23 prill 2023.

Fillimisht kryeshefi ekzekutiv i Sekretariatit të KQZ-së, Burim Ahmetaj dha detaje për përgatitjet që kishin nisur lidhur me zgjedhjet në katër komunave por sekretariati i KQZ-së, duke u bazuar në vendimin e presidentes së Kosovës, për shtyrjen dhe caktimin e datës së re për ato zgjedhje, rekomandon.

Ahmetaj: Rekomandojmë pezullimin e zgjedhjeve të 18 dhe 25 dhjetor

“Rekomandon Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për pezullimin e të gjitha aktiviteteve për organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të komunave Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubim Potok, si dhe zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendet e komunave Zveçan dhe Leposaviq... janë disa aktivitete që duhet të bëhen prej fillimit, është fjala për planin operacional i cili duhet të bëhet i ri pasi tash kemi data të reja. Po ashtu, është edhe lista përfundimtare e votuesve e cila duhet të bëhet e re pasi data e zgjedhjeve është 23 prilli dhe të gjithë votuesit që kanë të drejt vote, do të kenë të drejtën e votës, kështu që disa aktivitete të tjera do të na duhet t’i rishikojmë siç është dizajni i fletëvotimeve dhe aktivitete tjera që ndërlidhën me përkrahjen dhe organizimin e zgjedhjeve, sigurisht do të na duhet ta rishikojmë edhe buxhetin pasi një pjesë e buxhetit është shpenzuar”, tha ai.

Ilir Gashi, anëtar i KQZ-së kërkoi që KQZ t'i kryej obligimet ndaj punëtorëve të cilët kanë qenë të angazhuar.

Gashi: T’i kryejmë obligimet ndaj punëtorëve dhe operatorëve

“Kërkohet që në ditët në vazhdim të mblidhet KOS-i dhe të hartojë një plan të ri operacional duke iu përshtatur datave të reja të procesit zgjedhor... edhe ky proces deri më sot e ka pas një kosto të vet buxhetore, prandaj duhet t’i kryejmë obligimet “, tha ai.

Anëtari tjetër i KQZ-së, Sami Hamiti tha se afatet nisin nga fillimi.

Hamiti: Kemi dështuar si Kosovë në proces

“Një plan operacional të ri që duhet kohë, nuk kemi nevojë me u ngutur shumë, me bo një plan operacional që mos të dështojmë edhe një herë, po flas se ne si KQZ nuk kemi dështuar por kemi dështuar si Kosovë në proces”, tha ai.

Këtu ka reaguarkryeshefi i Sekretariatit, Burim Ahmetaj, duke thënë se ata kanë hyrë në marrëdhënie me shumë operatorë dhe realisht do të duhet edhe me datën 23 prill.

Ahmeti: Në rast se nuk i marrim shërbimet, nuk mund të bëjmë pagesë

“Ajo që kemi qenë të kujdesshëm ka qenë që në rast se nuk i marrim shërbimet, nuk mund të bëjmë pagesë, kjo i bie që në momentin që i marrim do t’i marrim ato furnizime, do të realizohen edhe pagesat. Afatin për të gjitha kontratat e kemi pasur për tre muaj dhe do të na duhet me shty afatin, qoftë për furnizimeve, qoftë për shërbime deri në datën e realizimit të zgjedhjeve”, tha ai.

Sipas tij, nesër do ta kenë një pasqyrë të saktë se sa kanë bërë shpenzime dhe mjete sa do t’i duhet për zgjedhjet e 23 prillit.

Në fund, KQZ me 10 vota për ka miratuar rekomandimin për pezullimin e zgjedhjeve të datës 18 dhe 25 dhjetor në katër komunat në veri të Kosovës.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat