Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka deklaruar se Beogradi duhet të ushtrojë ndikimin e vet mbi serbët e veriut të Kosovës, pa i justifikuar assesi veprimet e tyre cilatdoqofshin arsyet, arsyet diskutohen nuk përdoren si armë kundër policisë e si barrikada kundër rendit ligjor.
Rama ka reaguar në Twitter, duke thënë se sulmet mbi zyrtarët e EULEX janë të dënueshme pa asnjë ekuivok, ashtu siç është i dënueshëm çdo akt dhune ndaj policisë së Kosovës.
“Rishfaqja e barrikadave në veri të Kosovës, bie ndesh me çdo ligj e çdo frymë dialogu e jo vetëm nuk zgjidh asgjë, po përkundrazi komplikon më tej çdo gjë. Shtyrja e votimeve nga ana e Presidentes së Republikës së Kosovës është një sinjal kuptimplotë, të cilit autoritetet e larta të Beogradit duhet t’i përgjigjen me të njëjtën frymë dhe ndjenjë përgjegjësie, për moslejimin e përshkallëzimeve të mëtejshme të akteve destabilizuese. Beogradi duhet të ushtrojë ndikimin e vet mbi serbët e Veriut të Kosovës, pa i justifikuar assesi veprimet e tyre cilatdoqofshin arsyet. Arsyet diskutohen nuk përdoren si armë kundër policisë e si barrikada kundër rendit ligjor.BE-ja duhet të thërrasë urgjent tryezën e dialogut”, ka shkruar ai.