Për të tretën ditë me radhë rrugët që çojnë në dy vendkalimet kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në veriun e vendit vazhdojnë të mbahen të bllokuara nga grupe serbësh, ndërsa vazhdojnë thirrjet e diplomatëve perëndimorë për heqjen e tyre dhe kthimin e palëve në tryezën e bisedimeve.
Rrugët u bllokuan të shtunën pas njoftimit për arrestimin e një ish pjesëtari të policisë nën dyshimet për përfshirje në sulm ndaj zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe zyrtarëve policor gjatë javës, ndërsa po bëheshin përgatitje për zgjedhjet komunale në veri, të cilat kundërshtoheshin nga përfaqësuesit serbë të mbështetur nga Beogradi.
Situata e sigurisë në veriun e Kosovës duket e qetë të hënën një ditë pasi Policia e Kosovës dhe Misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit (EULEX) raportuan për incidente në veriun e vendit. Ngjarjet e së dielës ngjallën reagime të shumta të Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Evropian dhe NATO-s.
Ambasadat amerikane në Prishtinë dhe në Beograd bënë thirrje të dielën që të hiqen të gjitha bllokadat në rrugët e veriut të Kosovës dhe të punohet për shtensionimin e situatës në zonë.
Të hënën shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josef Borrell, tha se blloku është në kontakt me Prishtinën dhe Beogradin në përpjekje për shtendosjen e situatës, ndërsa i cilësoi të papranueshme sulmet ndaj EULEX-it dhe bllokimin e rrugëve.
“Ata duhet të kthehen në bisedimet e lehtësuara nga BE-ja. Duhet ta tejkalojnë këtë tendencë për të luftuar në rrugë, për të krijuar bllokada. Nuk është mënyra për të kërkuar një marrëveshje. Nuk është mënyra për të zhvilluar bisedimet. Nuk është mënyra për të kërkuar zgjidhje. Nuk është mënyra për të kërkuar procesin e normalizimit në të cilin ata janë të angazhuar”, tha zoti Borrell.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u bëri thirrje të dielën forcave të KFOR-it që të garantojë lirinë e lëvizjes duke zhbllokuar rrugët në veriun e Kosovës ndërsa akuzoi Serbinë për mbështetje të bandave kriminale që sipas tij po bëjnë përpjekje që të destabilizojnë Kosovën.
Beogradi ndërkaq akuzon Prishtinën për situatën në veriun e Kosovës. Presidenti serb Aleksandër Vuçiçi tha se ajo çfarë po ndodhë aktualisht është “përpjekje për ta përmbyllur problemin serb në Kosovë në të cilën po marrin pjesë (Albin) Kurti, Prishtina dhe një pjesë e mirë e bashkësisë ndërkombëtare”.
Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, pritej që së bashku me të dërguarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, gjatë ditës të takohen me udhëheqësit e institucioneve të Kosovës në kuadër të një turneu në vendet e Ballkanit.
Por vizita do të zhvillohet vetëm nga zoti Escobar, meqë zoti Chollet njoftohet se e ka anuluar atë. Ende nuk është bërë e qartë nëse do të anulojë edhe pjesën tjetër të vizitës në rajonin e Ballkanit dhe në Bruksel sic ishte paralajmëruar javën që lamë pas./VOA