Policët “problematikë” serbë të veriut/ Skenari për zgjedhjet më i rrezikshëm se ai për targat

Aktuale

Policët “problematikë” serbë të veriut/ Skenari për zgjedhjet më i rrezikshëm se ai për targat

Më: 12 dhjetor 2022 Në ora: 17:01
Pamje nga veriu

Nuk kaloi një muaj i plotë që kur tensionet në veriun e Kosovës të krijuara për shkak të targave ilegale u shuan.

Por një skenar akoma më i vrazhdë tensionesh po shihet një muaj pas, që kur u shpall data për zgjedhjet e jashtëzakonshme në komunat veriore.

Tensionet në të dyja rastet e ndara nisën me futjen në skenë të dy zyrtarëve policorë serbë në Policinë e Kosovës.

Ashtu sikurse “zjarri” që u ndez kur Nenad Gjuriç, u suspendua nga detyra e drejtorit të Policisë në veri të Mitrovicës për shkak të mosrespektimit të vendimit të Qeverisë së Kosovës për targat, arsye për rindezje të tensioneve ishte arrestimi i ish-pjesëtarit të të njëjtit institucion, Dejan Pantiç.

Situata në veri të Kosovës vazhdon të jetë e tensionuar prej kur disa serbë lokalë atje nga 10 dhjetori, ngritën barrikada dhe bllokuan rrugët që çojnë drejt pikave kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak.

Këto veprime i ndërmorën pasi Policia e Kosovës arrestoi Pantiçin, nën dyshimet për përfshirje në sulme kundër zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës dhe atyre policorë.

Këro sulme ndodhën derisa KQZ-ja po bënte përgatitje për zgjedhjet lokale në komunat veriore, Leposaviq, Zveçan, Mitrovicë e Veriut dhe Zubin Potok.

Zgjedhjet u shpallën pasi kryetarët e komunave dhe përfaqësues tjerë serbë në institucionet e Kosovës, u larguan nga vendet e punës në fillim të nëntorit, duke kundërshtuar një vendim të Qeverisë së Kosovës për të mos lejuar qarkullimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia.

Përfaqësuesit serbë, të mbështetur nga Beogradi zyrtar, i kundërshtuan edhe zgjedhjet, që fillimisht u planifikuan për datën 18 dhjetor.

Situata e tensionuar bëri që presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, t’i shtyjë ato për në prill të vitit të ardhshëm.

Autoritetet e Kosovës akuzuan “bandat kriminale serbe”, për disa incidente me armë zjarri dhe shok-bomba që ndodhën ditëve të fundit në veri. Madje nga to mbeti i plagosur edhe një zyrtar policor i Policisë së Kosovës.

Nga ana tjetër, nën arsyetimin se institucionet kosovare po tentojnë t’i dëbojnë serbët nga veriu, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se autoritetet serbe do t’i bëjnë kërkesë KFOR-it, që në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të sigurojë vendosjen e pjesëtarëve të ushtrisë dhe policisë serbe në territorin e Kosovës.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat