Çka thanë BE-ja dhe NATO-ja për situatën në veriun e Kosovës?

Aktuale

Çka thanë BE-ja dhe NATO-ja për situatën në veriun e Kosovës?

Më: 13 dhjetor 2022 Në ora: 13:05
Pamje nga veriu

Shefi për Poltikë të Jashtme dhe Siguri i Bashkimit Evropian Josep Borrel, ka reaguar ndaj situatës në veri të Kosovës.

Borrell të hënën në një konferencë për media pas përfundimit të takimit të ministrave të jashtëm të BE-së bëri thirrje që të largohen barrikadat në pjesën veriore të vendit dhe që të qetësohet situata.

Ai theksoi se që nga gushti i këtij viti ka provokime, konfrontime dhe reagime të ndryshme.

“Jemi duke jetuar në një rreth vicioz të provokimeve, konfrontimeve dhe reagimeve që kanë përshkallëzuar në ditët e fundit që kanë sjellë incidente serioze të sigurisë, duke e përfshirë edhe një sulm ndaj misionit tonë të EULEX-it në Kosovë, por edhe ndaj Policisë së Kosovës”, tha ai.

“Ka bllokada që bllokojnë rrugët, njerëz të armatosur që dalin në rrugë, këto nuk janë diçka që ne jemi gati t’i pranojmë, kjo nuk do të pranohet, kjo që vjen nga partnerët tanë, njerëz që janë duke aspiruar për një të ardhme evropiane. Kjo situatë duhet të përfundojë, barrikadat duhet të largohen, qetësia duhet të kthehet sërish. Këshilli Evropian u ka bërë të qartë të dyja palëve që të përmbahen nga veprimet e dhunshme dhe provokative”, tha Borrell.

Shefi i diplomacisë së BE-së theksoi se shtetet e anëtare të Bashkimit Evropian janë të gatshme të dërgojnë më shumë njësite dhe mbështetje për Misionin EULEX në Kosovë.

“Unë i kam pyetur anëtarët e shteteve që të jenë të gatshme që të dërgojnë më shumë forca në Misionin e EULEX-it, shumë prej tyre janë pajtuar dhe janë gati që të dërgojnë më shumë kapacitete dhe më shumë mbështetje e njerëz nëse është e nevojshme”, – tha kryediplomati i BE-së.

Reagim për situatën atje ka pasur edhe nga sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

Stoltenberg tha se duhet të shmangen deklaratat që kontribuojnë në eskalimin e konfliktit dhe të veprimeve.

Ai porositi palët se duhet të ofrojnë ndihmë për uljen e tensioneve.

Në një intervistë për France 24, i pari i Aleancës Veriatlantike theksoi se janë të gatshëm për reaguar.

“Forcat tona janë të gatshme, të afta dhe vigjilente. Ato janë duke e vëzhguar situatën me shumë kujdes. Po bashkëpunojmë ngushtë edhe me Bashkimin Evropian. Kërkoj nga palët që të përmbahen nga retorika që kontribuon për eskalimin e konfliktit dhe ta ndihmojnë uljen e tensioneve”, tha Stoltenberg.

Jens Stoltenberg shtoi se NATO-ja është shumë e njohur me luftërat në Bosnjë e Hercegovinë dhe Kosovë.

“NATO-ja është shumë e fokusuar në çështjen e Kosovës dhe të Ballkanit Perëndimor. Ne kemi një histori të gjatë. Kemi ndihmuar për t’u dhënë fund dy luftërave entike, së pari në Bosnjë e Hercegovinë dhe më vonë në Kosovë. Forcat tona ende janë të pranishme përmes forcave të NATO-s, KFOR-i ka gati 4.000 anëtarë dhe është faktor kyç për stabilizimin e rajonit dhe të situatës”- tha ai.

Vendosja e barrikadave në veri ka hyrë tashmë në ditën e katërt, duke e pamundësuar kështu lëvizjen që çon tek pikat kufitare me Serbinë, në Jarinje dhe Bërnjak.

Kjo u bë nga ana e serbëve pas arrestimit të ish-policit Dejan Pantiq, ndaj të cilit është shqiptuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.

Ai dyshohet se ka sulmuar policinë në Zveçan të enjten para mesnatës, ku u plagos një polic.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka kërkuar intervenimin e NATO-s në veri.

Në anën tjetër, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, ka thënë se do të kërkojë nga KFOR-i lejimin e 1 mijë ushtarëve serbë në Kosovë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat