Kurti thotë se aplikimi për anëtarësim në BE do të dorëzohet në Pragë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot gjatë ceremonisë së nënshkrimit të aplikimit të Kosovës në Bashkim Evropian, tha se këtë aplikim do ta dorëzojnë në presidencën çeke të Këshillit të BE-së, në Pragë.
Kurti tha se progresi do të varet nga “përkushtimi për reforma të thella dhe transformuese që avancojnë demokracinë, e forcojnë sundimin e ligjit dhe e zhvillojnë ekonominë”.
“Bazuar në aspiratat, vullnetin dhe përkushtimin e pathyeshëm të popullit tonë për paqe, liri barazi, drejtësi, orientimin tonë të qartë evropian e euroatlantik, besimin në vlerat fundamental në BE, konsensusin shoqëror e politik se e ardhmja e vendit tonë është brenda BE-së, sot po bëjmë hapin e parë drejt anëtarësimit në organizatën më të madhe të paqes dhe prosperitetit në Evropë, BE. Aplikimin për anëtarësim në BE të nënshkruar sot do t’ia dorëzojmë presidencës çeke të Këshillit të BE-së, në Pragë. Ky është moment histrorik për vendin tonë që synon hapjen e një kapitulli të ri për shtetin dhe shoqërinë tonë. Progresi do të varet nga përkushtimi ynë për reforma të thella dhe transformuese që avancojnë demokracinë, e forcojnë sundimin e ligjit dhe zhvillojnë ekonominë tonë. Shpejtësia me të cilën do të ecim do të varet nga ne, prandaj ngazhimi i të gjithëve është i nevojshëm e përkushtimi i secilit i domosdoshëm. Ne do të ecim përpara në meritën tona, pra në aftësinë tonë për të përmbushur kriteret në secilin kapitull të ri. Pengesat dhe sfidat drejt anëtarësimit i kalojmë me zhvillim demokratik e progres shoqëror. Së bashku në këto dy vite e kemi dëshmuar që kur shpresojmë dhe besojmëçdo gjë është ë mundur dhe nuk ka pengesë që nuk e kalojmë”, tha ai.
Konjufca thirrje BE-së: Miratojeni unanimisht kërkesën e Kosovës për anëtarësim
Tre krerët e shtetit, presidentja Osmani, kryeparlamentari Konjufca dhe kryeministri Kurti sot kanë nëshkruar aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Europian.
Kryeparlamentari Konjufca tha se sot janë mbledhur për një ditë të rëndësishme për Kosovën, duke thënë se anëtarësimi në BE është i rëndësishëm jo vetëm për Kosovën, por edhe rajonin.
“Respektimi i të drejtave të njeriut, barazia, konkurrenca e ndershme, lëvizja e lirë janë në thelbin e saj, një Union që e stimulon rritjen ekonomike dhe mirëqenien e tyre. Ky është hapi parë zyrtar në rrugën e anëtarësim të Kosovës drejt BE-së, një rrugë e gjatë dhe aspak e lehtë”.
Konjufca tha se “ne meritojmë të bëhemi vend kandidat dhe ta fillojmë rrugëtimin tonë për BE”. Ai po ashtu shtoi se kjo është një fazë që synojnë ta arrijnë në një kohë sa më të shpejtë.
Kryeparlamentari iu bëri thirrje institucioneve të BE-së që ta pranojnë aplikimin e Kosovës dhe ta përkrahin atë.
“Për këtë arsye e ftojmë Parlamentin Europian, Komisioni Europian dhe Këshillin e BE-së që ta demonstrojnë përkushtimin dhe përkrahjen e tyre ndaj Kosovës, duke e miratuar unanimisht kërkesën e Kosovës për anëtarësim dhe të na inkurajojnë të gjithëve për t’i marrë reformat për përparimin e Kosovës, që e kanë kuptimin e interesit për qytetarët dhe jo për politikanët. Ta forcojmë sigurinë ne Europë”.
Osmani: Ne sot po e sjellim Kosovën një hap më afër BE-së
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, kanë nënshkruar sot aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Në një fjalë rasti, Osmani ka dhënë se me nënshkrimin e aplikimit, Kosova po shkon një hap më afër drejt Bashkimit Evropian.
“Sot është një ditë historike. 14 dhjetori nga sot ka një rëndësi të dyfishtë në historinë moderne të Kosovës. Në njërën anë po shënojmë aplikimin për anëtarësim në BE dhe në anën tjetër kemi përvjetorin e Ushtrisë së Kosovës”.
“Së bashku me Konjufcën dhe Kurtin, në emër të Republikës së Kosovës po marrin një hap vendimtar drejt jetësimit të ambicies sonë të patjetërsueshme. Ne sot po e sjellim Kosovën një hap më afër BE-së”.
“Për Kosovën dhe qytetarët e saj nuk ka pasur asnjëherë alternative tjetër, ëndrrat bëhen realitet vetëm kur punohet dhe veprohet. Ky akt i dedikohet të gjithë qytetarëve të vendit tonë”.
“Ky moment i dedikohet çdo fëmije, gruaje e burri të Kosovës që sakrifikuan jetën dhe që u përballën padrejtësisht me gjenocid e okupim”.
“Shteti më i ri në kontinentin më të vjetër, vend i pluralizmit politik, Kosova e ekonomisë së tregut të lirë, e meriton të jetë pjesë e familjes së BE-së”,
“Rruga jonë përpara është e qartë, procesi mund të jetë afatgjatë, por ne do ta bëjnë punën tonë, në mënyrë që BE-ja ta ketë më të lehtë ta bëj punën e saj”.
Krerët e shtetit nënshkruajnë aplikimin për anëtarësimin e Kosovës në BE
Krerët e shtetit, presidentja Vjosa Osmani, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca dhe kryeministri Albin Kurti e kanë nënshkruar aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Krerët e shtetit e kanë vlerësuar këtë si ditë historike dhe si një lëvizje drejt jetësimit të ëndrrës së kamotshme të popullit të Kosovës.
Konfirmimin se Kosova do të aplikojë për anëtarësim në BE, e bëri të ditur dje edhe kryeministri Albin Kurti në mbledhjen e Qeverisë.
“Ka ardhur koha që statusin potencial për kandidat që na është njohur shumë kohë më parë, ta kthejmë në status kandidat duke kaluar në një fazë të re të raporteve me BE-në.
Kjo është në përputhje me aspiratat e qytetarëve që besojnë se e ardhmja jonë është BE-ja”, tha Kurti.
Nënshkruhet aplikimi për anëtarësimin e Kosovës në BE
Sot është mbajtur ceremonia e nënshkrimit të aplikimit për anëtarësim në Bashkim Evropian.
Në këtë ceremoni kanë marrë pjesë presidentja Osmani, kryeministri Kurti dhe kryekuvendari Konjufca.
Vjosa Osmani sot me ceremoni, nënshkruan letrën e aplikimit për anëtarësimin e Kosovës në BE
Sot do të mbahet ceremonia e nënshkrimit letrën e aplikimit për anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian.
Sipas njoftimit të Presidencës, ceremonia do të mbahet nga ora 11:00, në Kabinetin e Presidentes.
Në këtë ceremoni do të marrin pjesë presidentja Vjosa Osmani Sadriu, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca dhe kryeministri, Albin Kurti.
Pas ceremonisë së nënshkrimit tre krerët e Shtetit do të kenë deklaratë për media.
Ndryshe, Kryeministri Albin Kurti në mbledhjen e sotme të Qeverisë, ka bërë të ditur se këtë javë do të dorëzojnë aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Kurti ka thënë se BE është vend i paqes, barazisë e prosperitetit, andaj edhe Republika e Kosovës natyrshëm e ka vendin në këtë bashkësi si vend paqedashës e demokratik.
“Para një jave në Samitin e Tiranës me deklaratën e përbashkët BE bëri thirrje për proces të përshpejtuar të anëtarësimit. Andaj aplikimi ynë në BE i përgjigjet premtimit që BE ka dhënë për anëtarësim rajonit nga Samiti i Selanikut të vitit 2003, por edhe përgjigjes të atij para një javë në Shqipëri. BE është vend i paqes barazisë e prosperitetit, andaj edhe Republika e Kosovës natyrshëm e ka vendin në këtë bashkësi si vend paqedashës e demokratik”, tha Kurti.