Tensionet në veri, Çun Lajçi ka një kërkesë për emisarin special amerikan

Aktuale

Tensionet në veri, Çun Lajçi ka një kërkesë për emisarin special amerikan

Nga: A.ZH Më: 14 dhjetor 2022 Në ora: 10:33
Çun Lajçi

Aktori dhe shkrimtari Çun Lajçi, ka shkruar disa vargje, për emisarin special amerikan për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar, i cili ishte dje për vizitë në Kosovë.

Lajçi ka kërkuar nga Escobari, që të “matë me ushkurin” e shqiptarëve për situatën në veri të Mitrovicës, i cili po vazhdon të jetë i bllokuar për të 5-tën ditë më radhë, nga kamionët e vendosur nga bandat serbe.

“Eskobar! Mati edhe me ushkurin tonë se edhe qyqe-shqipja ka glasua pak andej Ibrit, pëshpërita tue u frigua mos po me ndëgjon e po ia merr Albinit ushkurin!”, ka shkruar aktori në një postim në Facebook.

Reagimi i plotë i Lajçit:

Eskobar, edhe shqipja jonë ka glasua pak andej Ibrit!

Duen ata e duem ne!

Duen edhe mësitnitë, ndërmjetësit nga Europa!

Secili në mënyrën e vet e shplon muskulin e krahut, si fotomodelja gjoksin e joshin secili me kajdjen e vet.

*

Duem ne, duen ata e duen ndërmjetësit! S'pyesin i kujt asht kurrizi, i kujt asht samari mbi te dhe kambët t'kujna janë. Trollin e duen për veti e nuk pyesin ku rrjedhë lumi e ku bie koka.

Ndërmjetësit, (mësitnia), kqyrin kush po i shplon kofshet e kush shpatullat. Kush po e hjekë ushkurin me matë brrylin!

*

Ne u byrykëm! U turrem valë-valë deri të uji, por përtuem m'u lagë. Thamë, po presim deri të shterret që t'kalojmë andej ku dikur Bislim Bajgora me do shaljanë i ruente kufijtë e dolem me ecë Lubotenit! Por stinët ndryshuen. Vjeshtat sollen shi e uji i lumit u rrit. Ne u friguem mos po mbytemi e thamë po shetitemi Sharrit e Gjeravicës deri sa të shterrën lumejt!

*

Këndej lumit jehuen kangët për Ademat. Andej lumit mbretnoi heshtja e n'jehonën e kangëve tona u rritën korbat!

Le t'glasojnë mbi kokat e veta thamë, dhe nuk i ngucëm. I lam të krrokasin në mbretninë e sorrave!

*

Por, kur u bamë trima e dolem andej, glasat ranë edhe mbi kokat tona e bërtitëm: Ikni se na fëlliqën! Era glasa po na vjen dhe u ankuem të ndërmjetësit:

__Sorrat po na i çukasin kokat e po na i dhjejnë rrugët!

*

Atëherë mësitnia tha: Deri ku ka glasa le t'jetë mbretnia e sorrave dhe nisi me i matë rrugët me ushkurin e tyne!

__Eskobar!

Mati edhe me ushkurin tonë se edhe qyqe-shqipja ka glasua pak andej Ibrit, pëshpërita tue u frigua mos po me ndëgjon e po ia merr Albinit ushkurin!

14.12.2022

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat