Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëreshë Kryeziu, deklaroi se shteti i Serbisë nuk mund ta pranojë faktin që Kosova çdo ditë e më shumë po i afrohet Bashkimit Evropian, prandaj sipas saj, kjo është njëra nga arsyet pse situata në veri është e tensionuar.
Mirëpo, Kryeziu vlerësoi se është shumë i rëndësishëm fakti që akterët ndërkombëtarë janë në mbështetje të Kosovës dhe kanë për synim stabilizimin e situatës.
“Shumë thjeshtë, Serbia nuk po mund ta pranojë që Kosova po vazhdon të ecë përpara, që Republika e Kosovës po i afrohet çdo ditë e më shumë Bashkimit Evropian, prandaj qëllimi i tyre është që ta pengojë këtë gjë. Mirëpo, ata nuk e kanë guximin të shkojnë përtej kësaj, përtej këtyre provokimeve të vazhdueshme. Prandaj, besoj fuqishëm që të gjithë akterët tanë ndërkombëtarë të cilët në këtë moment po e përkrahin Kosovën dhe po i bëjnë thirrje Serbisë që t’i tërheqin trupat, e kjo në mënyrë që situata të shkojë drejt stabilizimit dhe që shtetet të fillojnë të negociojnë mes vete”, tha Kryeziu.
Tutje, ajo tha se situata në veri është e tensionuar, prandaj nuk mund të bëhen veprime të shpejta.