“Frika” nga Asociacioni

Aktuale

“Frika” nga Asociacioni

Më: 14 dhjetor 2022 Në ora: 21:18
Gunther Fehlinger

I dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dha një mesazh të prerë për Kosovën.

Ai tha se marrëveshja për asociacionin duhet të zbatohet nga Qeveria e Kosovës, e në rast se kjo e fundit heziton atëherë do të ketë forma të tjera për implementimin e kësaj marrëveshjeje.

Shefi i ekzekutivit kosovar, Albin Kurti, ka refuzuar deri më tani ta zbatoj këtë marrëveshje, pasi e vlerëson si të rrezikshme për stabilitetin politik të Kosovës.

E hezitimin e Kryeministrit Kurti, po e kupton politikani nga Vojvodina, Nenad Çanak.

Socialdemokrati thotë se SHBA-të po kërkojnë një marrëveshje të shpejtë pavarësisht kostos që mund të ketë.

“Arsyeja e hezitimit për të formuar asociacion është e thjeshtë dhe e kuptueshme. Qeveria e Kosovës nuk dëshiron që përmes Bashkësisë së Komunave Serbe të krijojë diçka në Kosovë që mund të jetë burim i përhershëm i destabilitetit, në të njëjtën mënyrë siç është  ‘Republika Srpska’ në Bosnje dhe Hercegovinë. Organizimi territorial politik mbi baza etnike është i dëmshëm për çdo demokraci, veçanërisht në Ballkan. Nga ana tjetër, Marrëveshja e Brukselit është nënshkruar dhe Beogradi sheh në Asociacion mundësinë e mbijetesës politike pas njohjes së pashmangshme të Kosovës. SHBA po kërkon rezultate të shpejta, edhe pse kjo do të nënkuptonte probleme për të ardhmen”, tha ai.

Si të rrezikshëm formimin e asociacionit po e sheh edhe analisti politik, Gunther Fehlinger.

Austriaku thotë se Kosovës po i kërkohet një kompromis shumë i vështirë.

“Nëse amerikanët vazhdojnë të insistojnë në themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, atëherë Kosovës po i kërkohet një kompromis shumë i vështirë. Unë jam kundër kësaj marrëveshje e cila qartazi bënë ndasi në baza etnike. Është shumë gabim që shtetet të ndahen në baza etnike. Po- le të bëhet një asociacion ku do të kishte përfshirje me të madhe te minoriteteve, e jo të veçohen serbët nga të tjerët. E keni një shembull shumë të keq në Bosnje dhe Hercegovinë”, tha Fehlinger.

Njësoj sikurse Shtetet e Bashkuara të Amerikës, edhe ndërmjetësuesi kryesor i procesit të dialogut Bashkimi Evropian po kërkon që sa më parë të krijohen kushtet për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat