Escobar ja “mbledh” Vuçiqit: Nuk do ketë ushtri serbe në Kosovë, hiqni barrikadat

Aktuale

Escobar ja “mbledh” Vuçiqit: Nuk do ketë ushtri serbe në Kosovë, hiqni barrikadat

Më: 14 dhjetor 2022 Në ora: 23:27
Gabriel Escobar

Zëvendës Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, Gabriel Escobar, ja ka bërë të qartë Vuçiçit se nuk mund të ketë ushtri serbe në Kosovë.

Nesër presidenti serb do të firmosë vendimin për të futur ushtrinë në veri të Kosovës, por amerikanët duket se nuk do të lejojnë diçka të tillë.

Escobar ishte sot në Serbi ku u takua me Vuçiç dhe duket se i ka dhënë mesazhe të qartë.

Duke folur në mediat vendase, ai e tha hapur se nuk mund të ketë ushtri serbe në Kosovë. Po ashtu u shpreh se barrikadat duhet të hiqen sa më parë nga serbët që i vendosën ato.

“Ne nuk duhet ta militarizojmë këtë krizë. Nuk është koha për të përdorur ushtrinë, është koha për të përdorur diplomacinë, dialogun dhe kompromisin, si dhe imagjinatën, për të imagjinuar se çfarë sjell e ardhmja e rajonit”, tha Escobar.

Ai theksoi se deklarata “Kosova ka garanci sigurie nga SHBA-të” nuk është kërcënim për Serbinë dhe se këto garanci vlejnë edhe për serbët në veri të Mitrovicës.

“Ne nuk do të lejojmë askënd nga Kosova të kërcënojë Serbinë dhe nuk do të kërcënojmë sigurinë dhe stabilitetin në veri të Kosovës”, tha Escobar.

Ai shtoi se ka vizituar manastirin e Deçanit dhe tha se SHBA-ja dëshiron të jetë një ndërmjetës i ndershëm mes dy komuniteteve.

“Nëse mendoni për atë që po ndodh sot, kam parasysh procesin e Berlinit, Ballkanin e Hapur dhe të gjitha mundësitë rajonale, do ta zgjidhë këtë krizë dhe do të krijojë mundësi më të mëdha për rajonin”, tha ai në “N1”.

Po ashtu ai ja ka bërë të qartë Vuçiçit që të njohë Kosovën.

“Qëndrimi është që vendet e rajonit duhet të njohin reciprokisht njëri-tjetrin dhe të kenë një rrugë të qartë drejt Evropës”, tha ai.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat