Dugolli: Edhe ne po e pyesim KFOR-in kur është koha që mund të largohen barrikadat

Aktuale

Dugolli: Edhe ne po e pyesim KFOR-in kur është koha që mund të largohen barrikadat

Më: 14 dhjetor 2022 Në ora: 23:36
Enver Dugolli

Barrikadat në veri të vendit ende nuk janë larguar. Por se kur do të largohen ato, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli thotë se po e pyesin edhe KFOR-in.

Sipas Dugollit, pyetja që po i bëjnë KFOR-it është “kur është koha që po llogaritet” për t’i hequr barrikadat.

“Por edhe ne, edhe ne po ua shtrojmë këtë pyetje KFOR-it dhe miqve tanë. Deri kur është ajo koha e juaj që llogaritni që duhet të na jepni që t’i largojmë këto barrikada?! Edhe ne po pyesim”, tha ai.

Dugolli shtoi se me rëndësi është që të gjithë kanë konstatuar se barrikadat janë të paarsyeshme e të palejueshme, dhe si të tilla pengojnë lirinë themelore të njeriut, atë të lëvizjes.

Kryeministri Albin Kurti i ka kërkuar misionit të NATO-s në Kosovë që ta garantojë lëvizjen e lirë në veri. Ai ka njoftuar se po pret që KFOR-i t’i largojë barrikadat.

Vendosja e kamionëve nga serbët lokalë erdhi pas arrestimit të ish-policit Dejan Pantiq. Ndërsa, për heqjen e këtyre barrikadave kanë bërë thirrje ambasada amerikane dhe britanike në Kosovë e Serbi. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat