Përfaqësuesit e Parlamentit dhe Këshillit Evropian kanë arritur marrëveshje për liberalizimin e vizave për Kosovën.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar për arritjen e marrëveshjes për liberalizim të vizave mes Këshillit dhe Parlamentit të Bashkimit Evropian, në të njëjtën ditë kur u nënshkrua aplikimi i Kosovës në BE.
Kurti ka thënë se këto dy zhvillime, që u bënë njëkohësisht, dëshmojnë progresin e Kosovës drejt BE-së.
“Sot, kur Republika e Kosovës bëri hapin e saj të parë drejt anëtarësimit në BE, Këshilli dhe Parlamenti i Bashkimit Evropian arritën marrëveshje për liberalizimin e vizave për qytetarët tanë deri në janar të vitit 2024 – konfirmim më i madh i progresit tonë në agjendën e reformave të BE-së”, ka shkruar Kurti në Twitter.