Osmani: Veriu mbetet sfidë, bandat kriminale që i financon Serbia do të përballen me drejtësinë
Presidentja Vjosa Osmani në adresimin vjetor para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, duke nënkuptuar presidentin serb Aleksandër Vuçiq, tha se akomodimi i autokratëve nuk është rruga e duhur. Ajo tha se Serbia vijon financimin e bandave kriminale në veri por premtoi se këto të fundit do të përballen me drejtësinë. Osmani shtoi se prezenca e ushtrisë serbe në Kosovë ka marrë fund më 1999 ndërsa siguroi se integriteti territorial i vendit nuk do të preket.
Sipas saj, dialogu duhet të përqendrohet në njohjen e ndërsjellë ndërsa aplikimi për anëtarësim në KiE dhe BE janë ngjarje kulminante. Duke folur për politikën e jashtme, ajo pa përmendur emra tha se Kosova nuk ka më tregtarë kufijsh dhe njerëz që flirtojnë me Serbinë e Rusinë. Ndërsa për sistemin e drejtësisë u shpreh se aty nuk duhet të ketë vend për ata që shantazhojnë.
Pasi lartësoi kontributin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe presidentit Ibrahim Rugova në rrugëtimin për liri e pavarësi, presidentja Vjosa Osmani, që u bojkotua nga partitë opozitare PDK e AAK, përmendi edhe luftën në Ukrainë.
Ajo tha se Kosova e mbështet Ukrainën në luftën e saj për liri ndërsa u shpreh se ata që hezitojnë të mbështesin këtë vend bëhen bashkëfajtorë në krimet e Rusisë ndaj civilëve të pafajshëm.
Osmani: Akomodimi i autokratëve nuk është rruga e duhur
“Kjo luftë dëshmon edhe një herë se akomodimi i autokratëve dhe i atyre që kanë tendenca hegjemoniste asnjëherë nuk është rruga e duhur sepse kjo vetëm i inkurajon ata që të ushtrojnë më shumë dhunë e shkatërrim, më shumë tirani e hegjemoni. Ukraina po e dëshmon sot, ashtu siç e dëshmoi Kosova në vitin 1999 se askush e asgjë nuk mund ta ndalë vullnetin e një populli për të jetuar i lirë.... Prandaj populli dhe shteti i Kosovës i ka qëndruar pranë Ukrainës pa asnjë ekuivokë, ndërkaq kemi miratuar ndaj Rusisë pa asnjë hezitim të vetëm sepse të hezitosh në situata të tilla do të thotë të bëhesh bashkëfajtor në krimet ndaj civilëve të pafajshëm. Nuk mund të ketë neutralitet mes të mirës dhe së keqes. Mes agresorit dhe viktimës. Mes paqes e gjenocidit. Në situata të tilla zgjidhja do të duhej të ishte e qartë për të gjithë. E Kosova ka zgjedhur të qëndrojë në anën e drejtë të historisë”, deklaroi Osmani.
Presidentja u ndal edhe tek situata në veri të vendit të cilën e quajti sfidë por akuzoi Serbinë dhe presidentin e saj, Aleksandër Vuçiq se po financon bandat kriminale në atë zonë.
Osmani: Serbia vijon financimin e bandave kriminale në veri
“Veriu i Kosovës vazhdon të jetë sfidë për shkak të pretendimeve territoriale që Serbia ka ndaj Kosovës e të cilat i shpreh ndaj financimit dhe përkrahjes së strukturave ilegale kriminale. Por, në jemi të vendosur si asnjëherë më parë që të krijojmë siguri e sundim të ligjit në çdo cep të territorit tonë. Bandat kriminale nuk do të mund të mbisundojnë dëshirën e qytetarëve tanë edhe atyre në veri për të jetuar të lirë në atdheun e tyre në Kosovë... Ata do të përballen me drejtësi për veprat penale kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës si dhe për frikësimin e kërcënimet që po ua bëjnë qytetarëve tanë”, vijoi Osmani.
Ditë më parë, Serbia paralajmëroi se do t’i kërkonte NATO-s që të dislokonte 1 mijë trupa policore e ushtarake në veri të Kosovës, duke pretenduar në një nen të Rezolutës 1244 të OKB. Mirëpo Osmani tha se Serbia e di se prezenca e trupave të saj në Kosovë ka përfunduar më 1999.
Osmani: Prezenca e ushtrisë serbe në Kosovë mori fund më 1999
“Jemi të gjithë dëshmitarë të kërcënimit të vazhdueshëm të Serbisë ndaj Kosovës, ky kërcënim me përmasa agresioni së fundmi është shpërfaqur nëpërmjet idesë hegjemoniste të vendosjes së trupave ushtarake të Serbisë në Kosovë. Por Serbia dhe udhëheqësi i saj Vuçiq e dinë fare mirë se prezenca e ushtrisë serbe në territorin e Kosovës mori fund një herë e mirë më 12 qershor 1999. Në vitin 1999 kur trupat e NATO-s thyen boshtin kurrizor të idesë hegjemoniste të Serbisë për një Kosovë pa shqiptarë ku shfarosja ishte qëllimi gjenocidal i tyre.”, deklaroi Osmani.
Osmani u shpreh se puna e institucioneve të Kosovës për vendosjen e rendit dhe ligjit në veri të vendit është edhe përpjekje për mbrojtjen serbëve lokalë nga strukturat ilegale të organizuara nga banda kriminale të cilat, sipas saj, kanë për synim frikësimin dhe kërcënimin e tyre.
Presidentja u shpreh se Serbia duhet të kuptojë që Kosova është shtet dhe ashtu do të mbetet ndërsa shtoi se dialogu duhet të përqendrohet në njohjen e ndërsjellë.
Osmani: Dialogu duhet të përqendrohet në njohjen e ndërsjellë
“Serbia duhet ta kuptojë qartë e përfundimisht se Kosova është shtet dhe i tillë do të mbetet përgjithmonë. Se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe procesi i dialogut duhet të përqendrohet në njohjen e ndërsjellë si garancia e vetme per paqe e stabilitet në rajon. Pavarësisht sfidave ju siguroj që sovraniteti i vendit tonë do të vazhdojë të mbesë i shenjtë e integriteti territorial i pacenueshëm”, tha Osmani.
Osmani e quajti ngjarje kulminante të vitit aplikimin për anëtarësim në Këshillin e Evropës si dhe në Bashkimin Evropian.
Osmani: Aplikimi për anëtarësim në KiE dhe BE, ngjarje kulminante
“Këtë vit kemi ndërmarrë hapa konkret drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës. Anëtarësimi në këtë institucion është moment kulminant i angazhimit të Kosovës për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Dje, ndërkaq nënshkruam aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian, i cili sot i dorëzohet Presidencës Çeke, të cilën dua ta shfrytëzoj rastin ta falënderoj për përkrahjen e jashtëzakonshme për këta 6 muaj. Anëtarësimi në BE është objektiv i yni strategjik, prandaj aplikimi na sjellë një hap më afër realizimit të këtij synimi historik. Në këtë frymë, ne kemi filluar po ashtu diskutimet politike me aleatët tanë për përfshirjen e Kosovës në programin e Partneritetit për Paqe të NATO-s, si hap paraprijës formal i anëtarësimit në NATO”, theksoi presidentja Osmani.
Osmani tha se Kosova asnjëherë nuk ka pasur politikë të jashtme më aktive, më kuptimplotë, më të përgatitur e më të koordinuar. Ajo shtoi se politika e jashtme është e fokusuar në në interesin e Kosovës jo të interesave të ngushta individuale.
Ajo deklaroi se politika e jashtme është në shërbim të plotë e në funksion të forcimit të shtetësisë së Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe konsolidim të Kosovës si faktor kyç i stabiliteti dhe prosperitetit në rajon e përtej.
Osmani: Kosova nuk ka tregtarë kufijsh
“Në fakt më në fund Kosova ka politikë të jashtme por po ju tregoj se çfarë nuk ka Kosova tani. Nuk ka lobim për ndryshim kufijsh, nuk ka pagesa lobistësh për të shtyrë përpara interesa puro individuale. Nuk ka intervista të paguara për të promovuar liderë të caktuar, nuk ka filtrime me Serbinë e Rusinë me qëllim të interesave individuale... Koha e tregtarëve të kufijve ka përfunduar njëherë e përgjithmonë. Sfidat e politikës së jashtme natyrisht që janë të panumërta sepse gabimet kanë qenë të përmasave të mëdha. Tani ne duhet t'i riparojmë këto dëme. Hap pas hapi me durim e me vizion të qartë”, tha Osmani.
Presidentja u shpreh se mbrojtja dhe garantimi i të drejtave dhe lirive qytetare, krijimi i një ambienti të sigurt për të gjithë, si dhe luftimi i dukurive negative është jetik për funksionimin e mirëfilltë të një shoqërie demokratike.
Duke u ndalur të vrasja e grave dhe rastet e dhunës seksuale, Osmani kërkoi angazhim më të madh nga institucionet e drejtësisë, ndërsa foli edhe për domosdoshmërinë e procesit të vettingut.
Osmani: Në drejtësi s’duhet të ketë vend për ata që shantazhojnë
“Në sistemin tonë të drejtësisë nuk duhet të ketë vend për ata që e shfrytëzojnë atë si një trampolinë për t'u pasuruar dhe shndërrojnë shantazhin në mjet për arritjen e qëllimeve e interesimeve të ngushta. Pavarësia dhe integriteti i sistemit të drejtësisë është parim themelor për funksionimin efektiv të tij por pavarësia nuk nënkupton vetëm privilegj çfarëdo qoftë ai, por edhe përgjegjësi dhe llogaridhënie. Mbi të gjitha nuk mund të ketë pavarësi ndaj kushtetutës dhe ndaj ligjeve. Përgjegjësia dhe llogaridhënia vlejnë për të tri shtyllat e pushtetit dhe kjo është garancia e pazëvendësueshme për një demokraci të qëndrueshme”, u shpreh Osmani.
Osmani në fjalimin e saj vjetor para deputetëve të Kuvendit ka folur ndër të tjera edhe për raportet veçanta të Kosovës me SHBA-të duke potencuar se Kosova nuk ka partner më të rëndësishëm sesa Shtetet e Bashkuara prandaj ajo shtoi se këtë aleancë duhet ta trajtojmë si të shenjtë e ta ruajmë e ta kultivojmë përjetësisht.
Në fund, presidentja Osmani deklaroi se ajo vetë nuk do të zmbrapset nga sulmet që i bëhen por do të angazhohet për interesat e qytetarëve.