Kurti takohet me ministrin e Punëve të Jashtme të Çekisë, diskutojnë për bashkëpunime mes vendeve

Aktuale

Kurti takohet me ministrin e Punëve të Jashtme të Çekisë, diskutojnë për bashkëpunime mes vendeve

Më: 15 dhjetor 2022 Në ora: 15:33
Kryeministri Kurti ne takim me ministrin e Punëve të Jashtme të Çekisë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti që po ndodhet në Pragë të Çekisë për të dorëzuar aplikimin e Republikës së Kosovës në Bashkimin Evropian, u prit sot në një takim bilateral nga ministri i Punëve të Jashtme të Çekisë, Jan Lipavský.

U diskutua për marrëdhëniet dypalëshe dhe për bashkëpunimin e afërt ndërmjet dy vendeve, veçanërisht gjatë Presidencës çeke të Këshillit të Bashkimit Evropian.

Kryeministri Kurti e falënderoi Republikën e Çekisë dhe ministrin Lipavský për mbështetjen e vazhdueshme dhe të zëshme që i kanë dhënë Kosovës në synimet e saj për integrim evropian dhe euro-atlantik.

Ai veçoi rolin e rëndësishëm dhe përkushtimin e Presidencës çeke të Këshillit të BE-së në trajtimin me prioritet të çështjes së liberalizimit të vizave. Dje, Këshilli i BE-së dhe Parlamenti Evropian u dakorduan për heqjen e regjimit të vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës më së largu me 1 janar 2024.

Në takim gjithashtu u fol edhe për bashkëpunimin rajonal, marrëveshjet që u nënshkruan në kuadër të Procesit të Berlinit dhe procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat