Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu, ka treguar se pse është bojkotuar nga partia e saj fjalimi vjetor i presidentes, Vjosa Osmani, i së cilës sipas saj, ka qenë “komplet skandaloz”.
Ajo ka thënë se vetë fakti që një presidente ka aq mllef dhe urrejtje në fjalimin e saj tregon se pse është refuzuar nga ana e tyre, pasi sipas saj, presidentja nuk po bënë asgjë për dinjitetin e qytetarëve, “rriten çmimet, pagat nuk lëvizin, presidentja asnjë veprim”.
“E lëvdon administratën, ndërsa në çdo paraqitje kryeministri e quan administratën të paaftë. Presidentja lavdëron rininë e Kosovës, kjo rini e cila në mungesë të perspektivës e zhgënjyer deri në palcë, dhe ajo asnjë fjalë të vetme nuk e tha në këtë fjalim”, ka deklaruar ajo.
“E lavdëron të kaluarën nuk e përmend asnjë emër të kontributdhënsve, kinse e tërë jeta ose Kosova ekziston që kur është bërë presidente Kosovës”, ka thënë tutje ajo.
Deputetja Musliu ka thënë se Osmani në fjalimin e saj e ka lavdëruar Policinë e Kosovës, të cilës sipas saj, po e trajton në mënyrën më të “padinjitetshme të mundshme”.
Sipas saj, Policia e Kosovës nuk kanë uniforma nuk kanë ushqim cilësor nuk kanë paga të dinjitetshme dhe të gjitha pajisjet i kanë të vjetra.
Musliu flet për deklaratën e saj ndaj presidentes Osmani
Për deklaratën e saj pas fjalimit të presidentes Osmani, ajo ka thënë se e ka bërë me vetëdije, duke shtuar se “nëse presidentja dukjen e saj e bënë pjesë të fjalimit të saj pse unë të mos e bëj”.
“Në fenomenin grua, dhe duke u munduar që të viktimizohet prapa fjalës grua kjo përbënë skandal në vete, fjalimi i saj sot ishte një fjalim skandal i të gjitha pikave”, është shprehur ajo.
Ndërkaq, për reagimet që gjoja dikush e ka përqeshur presidenten Osmani për pamjen e saj, Musliu ka pyetur se ku ishte ajo kur u bullizua, ish-presidentja, Atifete Jahjaga, nga të gjitha palët.
“Në momentin kur ti e zgjedh të viktimizohesh me dukjen tënde prite aty goditjen sepse aty do të goditesh, vetë fakti që presidentja e bënë pjesë të adresimit të saj vjetor këtë çështje, çfarë të themi tjetër për mua është e dhimbshme, sepse cili është mesazhi që e dha ajo për gratë, në vend që ajo për gratë dhe vajzat e Kosovës duhet të jenë krenare për vete ajo sot i kompleksojë gratë, ju tha grave se ju nëse dukeni të plota do të paragjykoheni, e presidentja nuk e ka këtë të drejtë”, ka deklaruar Musliu.