Sali Mustafa shpallet fajtor, dënohet me 26 vjet burgim

Aktuale

Sali Mustafa shpallet fajtor, dënohet me 26 vjet burgim

Më: 16 dhjetor 2022 Në ora: 06:54 Përditësuar në ora: 11:46 më 16.12.2022
Sali Mustafa

Për çka u dënua Salih Mustafa me 26 vjet burg?

Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, është dënuar të premten nga Gjykata Speciale me seli në Hagë me 26 vjet burgim për vrasje të paligjshme, ndalim arbitrar dhe torturë.

Në emër të popullit të Kosovës, për arsyet e shtjelluara në aktgjykim dhe të përmbledhura më lartë, dhe duke marr parasysh të gjitha provat dhe argumentet e palëve mbrojtëse të viktimave, Trupi Gjykues, në bazë të neneve 43 dhe 44 të Ligjit dhe rregullave 158 dhe 159, 163 dhe 165 të Rregullores, ju shpall juve z. Mustafa, fajtor për:

Pikën 3: torturë si krim lufte, sipas neve 14 paragrafi 1, pika c dhe i dhe neneve 16 1a të Ligjit, kryerje e drejtpërdrejtë”. “Pikën 1: Ndalim arbitrar si krim lufte sipas neneve 14 1c dhe 16 1a të ligjit si pjesë e ndërmarrjes kriminale të përbashkët në formën bazë të saj.” – thuhet tutje në aktgjykim. “Për pikën 3: torturë si krim lufte, sipas neneve 14 1c dhe i, dhe 16 1a të Ligjit, si pjesë e ndërmarrjes kriminale të përbashkët në formën bazë të saj.” – u tha tutje.

Mustafa fillimisht është akuzuar për ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.

Këto krime është thënë se janë kryer në kompleksin e ndalimit në Zllash në Kosovë, në prill të vitit 1999.

Sa i përket akuzës për ndalim arbitar, kryegjykatësja ka thënë se të paktën 6 personave u është ndaluar liria në periudhën 1 prill 1999 – 19 prill 1999.

Viktimat u arrestuan nga anëtarë të BIA-s, apo anëtarë tjerë të UÇK-së afër Zllashit”.

Ajo ka thënë se qendra e ndalimit në Zllash është kontrolluar nga Mustafa.

Për akuzën e torturës, krygjykatësja ka thënë se të ndaluarit janë mbajtur në kushte çnjerëzore dhe poshtëruese.

Ajo ka thënë se pika e trajtimit mizor është mbuluar nga pika e torturës dhe si e tillë nuk është shqyrtuar më tej.

Ata janë mbajtur në kushte të mjerueshme në mes të bajgave të bagëtive”.

“Ata flinin në ujë, në pellgje, në ahur ishte gjithmonë terr, ata nuk kishin ushqim të mjaftueshëm, kalonin dy tri-ditë pa ngrënë”.

“Kur të ndaluarit kërkuan ujë, ushtarët e BIA-s urinuan mbi ta duke thënë, ‘ja uji’”.

Ajo ka thënë se të ndaluarit janë rrahur me shkop bejsbolli, janë rrahur, janë djegur.

“Vetë Mustafa ka marrë në pyetje dhe ka keqtrajtuar dy prej tyre”.

Ajo po ashtu ka thënë se vetë Mustafa ka urdhëruar vartësit e tij ta rrihnin një të ndaluar derisa ka humbur ndjenjat.

Sipas saj, të ndaluarit janë keqtrajtuar edhe psiqikisht.

“Një dëshmitar ka thënë se ka dëgjuar zëra të njerëzve ‘duke bërë si qenë, mace’ dhe nuk kanë mundur të flinin”.

Në pikën për vrasje të paligjshme, Veldt-Foglia ka thënë se vdekja e një viktime në periudhën e fundit të prillit 1999, “mund t’i atribuohet veprimeve dhe mosveprimeve të zotit Mustafa si komandant i BIA-s”.

Vetë Mustafa është deklaruar i pafajshëm derisa në një rast, gjykatën e ka konsideruar “zyre të Gestapos”, referencë për shërbimin sekret policor në kohën e Gjermanisë naziste.

Sipas aktakuzës, Salih Mustafa, gjithashtu i njohur si ‘komandant Cali’, ka qenë komandant i njësitit gueril BIA (‘njësiti BIA’), njësit brenda Zonës Operative të Llapit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Gjykimi ndaj tij përbën procesin e parë gjyqësor për krime lufte që ka nisur në Gjykatën Speciale.

HISTORIKU I AKTAKUZËS

Aktakuza kundër Mustafës u konfirmua më 12 qershor 2020 dhe versioni i fundit u bë publik më 28 shtator 2020.

PËRMBLEDHJE E AKUZAVE

Aktakuza e ngarkon Mustafën me përgjegjësi penale individuale dhe përgjegjësi penale si epror për krimet e kryera nga disa anëtarë të UÇK-së kundër personave të ndaluar në kompleksin e ndalimit në Zllash, në regjionin Gollak të Kosovës. Sipas aktakuzës, afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe rreth fundit të prillit 1999, Salih Mustafa dhe disa ushtarë, policë e roja të UÇK-së paten të njëjtin qëllim të përbashkët të marrjes në pyetje dhe keqtrajtimit të të ndaluarve në kompleksin e ndalimit në Zllash. Qëllimi i përbashkët përfshinte krimet e specifikuara si në vijim.

Salih Mustafa akuzohet për:

KRIMET E LUFTËS TË :

Ndalimit arbitrar (Pika 1)

Trajtimit mizor (Pika 2)

Torturës (Pika 3)

Vrasje së paligjshme (Pika 4)

ZHVILLIMET PROCEDURALE

Mustafa u arrestua dhe u transferua në njësinë e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës më 24 shtator 2020.

Seanca e paraqitjes së parë të Mustafës u mbajt më 28 shtator 2020 para gjykatësit të procedurës paraprake, Nikola Giju. Në paraqitjen e tij të mëtejshme, më 28 tetor 2020, Mustafa u vetëdeklarua i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

Palët i dorëzuan (si konfidenciale) versionet e tyre të fundit të dosjeve paraprake, më 22 shkurt 2021 (Zyra e Prokurorit të Specializuar) dhe më 6 maj 2021 (Mbrojtja).

Më 30 prill 2021, Gjykatësi i Procedurës Paraprake nxori vendimin e parë mbi kërkesat e viktimave.

Më 7 Maj 2021, Gjykatësi i Procedurës Paraprake ia kaloi dosjen e çështjes Trupit Gjykues I.

Më 21 maj 2021, Trupi Gjykues nxori vendimin e dytë mbi kërkesat e viktimave. Trupi Gjykues gjithashtu zgjati afatin për viktimat për të aplikuar deri në mbylljen e çështjes së Prokurorit të Specializuar. Në këtë çështje morën pjesë 8 viktima brenda një grupi të vetëm (Grupi 1).

Konferencat përgatitore për gjykimin në këtë çështje u mbajtën më 9 dhe 10 qershor 2021.

Gjykimi filloi më 15 shtator 2021 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar dhe të përfaqësueses së viktimave. Më 4 shkurt 2022, ZPS-ja e mbylli çështjen e vet.

Më 23 shkurt 2022, Trupi Gjykues hodhi poshtë mocionin e Mbrojtjes për rrëzimin e akuzave kundër të akuzuarit, në bazë të rregullës 130 të Rregullores së Procedurës dhe të Provave të DHSK-së. Konferenca përgatitore e Mbrojtjes dhe konferenca përgatitore mbi pjesëmarrjen e viktimave u mbajtën më 8 dhe 9 mars 2022.

Paraqitja e provave nga Mbrojtja filloi më 22 mars 2022, paraprirë prej paraqitjes së provave nga mbrojtësja e viktimave, më 21 mars. Më 26 maj 2022, Mbrojtja e Salih Mustafës njoftoi për mbylljen zyrtare të paraqitjes së provave prej tyre.

Më 1 qershor 2022, ZPS-ja paraqiti kundërprovat e veta duke thirrur një dëshmitar dhe duke ofruar prova dokumentare shtesë.

Më 3 qershor 2022, Trupi Gjykues paraqiti prova shtesë, në bazë të rregullës 132 të Rregullores, gjegjësisht dy raporte ekspertësh lidhur me vlerësimin e gjendjes shëndetësore të disa viktimave pjesëmarrëse në këtë çështje.

Paraqitja e provave në këtë çështje gjyqësore përfundoi më 20 qershor 2022. Më 21 dhe 22 korrik 2022, Mbrojtja e Mustafës dhe Prokuroria i dorëzuan dosjet e tyre gjyqësore përfundimtare. Deklaratat përmbyllëse u bënë në periudhën 13-15 shtator 2022.

Dënimi i Salih Mustafës, kryegjykatësja: Në asnjë moment nuk është gjykuar UÇK-ja

Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa është dënuar me 26 vjet burgim, për akuzat për krime lufte.

Gjykata Speciale me seli në Hagë e ka shpallur fajtor për akuzat për torturë, ndalim, arbitrar dhe vrasje e paligjshme, ndërkaq është shpallur i pafajshëm në akuzën për trajtim mizor.

Para se të shqiptohej vendimi, kryetarja e trupit gjykues, në Gjykatën Speciale, tha se nuk po gjykohet UÇK-ja dhe as populli i Kosovës.

Mappie Veldt-Foglia, tha se ka konceptime të gabuara se “se këto akuza u ngritën kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës apo të gjithë popullit të Kosovës”, duke shtuar se përgjegjësia penale para Dhomave të Specializuara është vetëm individuale.

“Së pari, duket se ka konceptime të gabuara se këto akuza u ngritën kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës apo të gjithë popullit të Kosovës. Nuk ka asgjë më larg së vërteti se kjo. Ishte pikërisht populli i Kosovës, që përmes Kuvendit, qe zgjodhi të krijonte dhe t’i jepte kompetenca këtij institucioni. Gjithashtu, përgjegjësia penale para Dhomave të Specializara është vetëm individuale”, deklaroi ajo.

Specialja jep detaje pse u dënua Salih Mustafa

Sot më 16 dhjetor 2022, Trupi Gjykues I shqiptoi aktgjykimin në çështjen gjyqësore Prokurori i Specializuar kundër Salih Mustafës. Aktgjykimi shënon një moment të rëndësishëm për Dhomat e Specializuara të Kosovës (“DHSK”), duke qenë se është aktgjykimi i parë i kësaj gjykate në një çështje për krime të luftës.

Trupi Gjykues e shpalli z. Mustafa fajtor për krimet e luftës të ndalimit arbitrar, torturës dhe vrasjes së paligjshme dhe e dënoi me 26 vjet burgim. Për arsye ligjore, Trupi Gjykues e shpalli z. Mustafa të pafajshëmpër krimin e trajtimit mizor. Kur shqiptoi vendimin, Trupi Gjykues nënvizoi se akuzat në këtë çështje gjyqësore kanë të bëjnë vetëm me përgjegjësinë penale individuale të z. Mustafa dhe përfshirjen e tij në krimet e pretenduara të ndalimit arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes së paligjshme të viktimave. Duke vënë në dukje se viktimat në këtë çështje janë shqiptarë kosovarë, Trupi Gjykues gjithashtu theksoi se “përpjekjet e tyre për të gjetur drejtësinë dhe të vërtetën janë thelbi i këtij procesi”.

Krimet për të cilat z. Mustafa u shpall fajtor ndodhën në prill 1999 në një kompleks në fshatin Zllash, në Kosovë, i cili përdorej si bazë nga njësiti gueril BIA i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), komandant i të cilit ishte z. Mustafa.

Në aktgjykim, Trupi Gjykues konstatoi se gjatë konfliktit midis UÇK-së dhe forcave serbe, z. Mustafa ishte komandanti i vetëm dhe i përgjithshëm i njësitit gueril BIA të UÇK-së deri në shpërndarjen e tij; se ai kishte nën komandë kompleksin në Zllash gjatë periudhës kur ndodhën krimet e pretenduara; dhe se kishte kompetencë për emërime në njësitin gueril BIA, për t’u dhënë urdhra vartësve të vet dhe për t’i disiplinuar.

Në lidhje me krimin e ndalimit arbitrar, Trupi Gjykues konstatoi se të paktën gjashtë persona u arrestuan nga anëtarë të BIA-s ose anëtarë të tjerë të UÇK-së dhe atyre iu hoq liria në kompleksin në Zllash pa iu treguar arsye, e pa iu dhënë mundësi të kundërshtonin ligjshmërinë e mbajtjes në ndalim. Provat vërtetuan se z.Mustafa ishte i pranishëm disa herë në kompleksin e ndalimit në Zllash dhe i urdhëroi vartësit t’i kthenin të ndaluarit në vendin ku mbaheshin në ndalim. Rrjedhimisht, Trupi Gjykues konstatoi se z. Mustafa e dinte për mbajtjen e tyre në ndalim dhe kushtet e ndalimit. Në lidhje me krimin e torturës, gjykatësit theksuan se të ndaluarit u akuzuan se ishin spiunë, bashkëpunëtorë të serbëve, tradhtarë, hajdutë, ose gënjeshtarë dhe u mbajtën në kushte çnjerëzore dhe poshtëruese, pa ujë, ushqim dhe ndihmë mjekësore të mjaftueshme; nuk u lejohej larja e pastrimi ose ndërrimi i teshave, dhe as përdorimi i objekteve sanitare. Z. Mustafa dhe vartësit e tij të BIA-s qëllimisht u shkaktuan dhimbje e vuajtje të mëdha të ndaluarve, me synimin e marrjes së informatave ose deklaratave pranuese, duke i ndëshkuar, frikësuar, shtrënguar dhe/ose diskriminuar për arsye politike.

Trupi Gjykues theksoi se “keqtrajtimi fizik dhe psikologjik, bashkë me kushtet çnjerëzore dhe poshtëruese të ndalimit, u shkaktuan të ndaluarve lëndime të përhershme fizike dhe psikologjike”.

Në lidhje me krimin e vrasjes së paligjshme, Trupi Gjykues konstatoi se viktima e vrasjes së paligjshme ishte pothuajse i vdekur kur si pasojë e ofensivës serbe në prill 1999, njësiti gueril BIA i liroi të burgosurit, me përjashtim të dy më të rrahurve egërsisht. Trupi Gjykues konstatoi si shkak të vdekjes keqtrajtimin e rëndë të shkaktuar nga anëtarët e njësitit gueril BIA gjatë një periudhe prej pothuajse tri javësh dhe mungesën e ndihmës mjekësore për viktimën, si dhe disa plagë të shkaktuara nga armë zjarri, të pranishme në kufomën e viktimës.

Në lidhje me përgjegjësinë penale të z. Mustafa, Trupi Gjykues konstatoi se vetë z. Mustafa mori në pyetje dhe keqtrajtoi dy nga të ndaluarit, në raste të ndryshme, si dhe njërin prej tyre bëri sikur do ta ekzekutonte.

Në lidhje me pretendimet e tjera faktike mbi të cilat bazohen akuzat për krimet, Trupi Gjykues konstatoi se z. Mustafa është penalisht përgjegjës përmes kontributit personal si pjesëmarrës i ndërmarrjes kriminale të përbashkët.

Në përcaktimin e dënimit të z. Mustafa, Trupi Gjykues mori parasysh peshën e krimeve dhe kontributin personal të z. Mustafa në krimet. Egërsia e veçantë e torturave, pozita eprore e z. Mustafa si dhe përfshirja e drejtpërdrejtë personale e tij në këtë krim u vlerësuan nga Trupi Gjykues si faktorë rëndues. Kur shqiptoi vendimin e gjykimit Trupi Gjykues theksoi guximin e jashtëzakonshëm të dëshmitarëve dhe viktimave që dhanë dëshmi me gjithë etiketimin e tyre në Kosovë si “tradhtarë” apo “bashkëpunëtorë” dhe kërcënimet e frikësimin për bashkëpunimin e tyre me Dhomat e Specializuara ose Prokurorin e Specializuar.

Trupi Gjykues shpjegoi se atmosfera e frikës dhe frikësimit është arsyeja pse gjykatësit urdhëruan masa mbrojtëse për shumë dëshmitarë dhe viktima në këtë çështje gjyqësore dhe theksoi se ajo ishte gjithashtu një nga arsyet për krijimin e kësaj gjykate dhe vendosjen e saj në Hagë.
Gjatë gjykimit, Trupi Gjykues dëgjoi 28 dëshmitarë – 13 të thirrur nga Prokurori i Specializuar dhe 15 të thirrur nga Mbrojtja. Trupi Gjykues gjithashtu shqyrtoi deklarata me shkrim, prova shkresore dhe aktekspertiza.

Tetë viktima morën pjesë në proces dhe të gjithë ishin nën masa mbrojtëse.

Specialja e shpall fajtor Salih Mustafën dhe e dënon me 26 vjet burg

Gjykata Speciale e ka shpallur fajtor dhe e ka dënuar me 26 vjet burg ish-pjesëtarin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafën.

Ai është shpallur fajtor për veprat: vrasje e paligjshme, torturë dhe ndalim arbitrar.

Ky është aktvendimi i parë i këtij institucioni lidhur me hetimet për krime lufte në Kosovë.

Në përmbledhje të aktgjykimit, Kryegjakatësja Mappie Veldt-Foglia ka thënë se dëshmitë e dëshmitarëve kanë qenë të qarta, koherente dhe përputhëse.

“Dëshmitë e kanë konfirmuar njëra-tjetrën”, ka thënë ajo.

Kur u arrestua Mustafa?

Mustafa është arrestuar dhe më pas është transferuar në njësinë e paraburgimit të Gjykatës Speciale më 24 shtator të vitit 2020.

Procesi gjyqësor ka nisur më 15 shtator të vitit 2021 dhe në të kanë marrë pjesë 29 dëshmitarë – 14 të Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe 15 të mbrojtjes.

Aty përfshihen edhe tetë viktima që kanë dhënë dëshmitë e tyre.

Ish-Prokurori i Specializuar, Jack Smith, ka thënë muaj më parë se në rastin e Mustafës, të gjitha viktimat janë shqiptarë të Kosovës.

Pas angazhimit të Smithit në një rast tjetër gjyqësor, Alex Whiting është në pozitën e ushtruesit të detyrës së Prokurorit të Specializuar.

Alex Whiting zëvëndëson Jack Smithin si Ushtrues Detyre i Prokurorit të Specializuar në Hagë

Prokuroria pati thënë se “faji i vetëm” i disa viktimave ishte se kanë qenë pjesëtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Në mbrojtje të Mustafës janë angazhuar: Julius von Bone, avokat, dhe Betim Shala, bashkëmbrojtës.

Fillon seanca ku pritet të shpallet vendimi për Salih Mustafën

Në Gjykatën Speciale, ka filluar seanca ku do të shpallet vendimi për ish-pjesëtarin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafën.

Mustafa akuzohet për ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.

Këto krime dyshohet se janë kryer në kompleksin e ndalimit në Zllash në Kosovë, në prill të vitit 1999.

Ky njëherësh do te jetë aktvendimi i parë i këtij institucioni lidhur me hetimet për krime lufte në Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat