Bashkimi Evropian thotë se po vazhdojnë të punojnë për deeskalimin e situatës në Veri të Mitrovicës.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano ka thënë se përfaqësuesi i lartë Josep Borrell dhe ndërmjetësi evropian në dialog, Miroslav Lajçak janë në kontakt të vazhdueshëm me palët në përpjekje për shtensionim të situatës.
“BE-ja, së bashku me partnerët e saj, vazhdon të punojë për deeskalim, veçanërisht në veri të Kosovës, në mënyrë që të sigurohet një mjedis i sigurt dhe lëvizje e lirë për të gjithë qytetarët”, ka thënë Stano në një konferencë për media në Bruksel.
Pjesa veriore e Kosovës vazhdon të mbetet e bllokuar, shtatë ditë pas vendosjes së barrikadave nga serbët në shenjë proteste për arrestimin e ish-policit Dejan Pantiq.
Që nga e shtuna kur u vendosën barrikadat në Rudarë, ato vazhdojnë të jenë aty përkundër thirrjeve të ndërkombëtarëve që ato të hiqen. Pikat kufitare në Jarinjë e Bërnjak vazhdojnë të jenë të mbyllura edhe në ditën e shtatë, ndërkaq u raportua se dje është vendosur edhe barrikada e katërt.