Sindikata e Pavarur e Doganës së Kosovës ka bërë të ditur se doganierët e sistemuar në pikën kufitare Jarinjë që nga e shtuna e 10 dhjetorit janë në krye të detyrës zyrtare pa pasur mundësi të kryhen ndërrimet me oficerët tjerë doganorë.
Sindikata njofton se ndërrimet me oficerët doganorë nuk po mund të bëhen për arsye të bllokimit të rrugës në këtë pjesë të Republikës së Kosovës.
“Sindikata e Pavarur e Doganës së Kosovës si zë i fuqishëm i anëtarësisë së saj bashkëndjen punën me doganierët e sistemuar në PKK Jarinjë. Sindikata njëherit i përgëzon institucionet e Republikës së Kosovës e në veçanti doganierët e policët për vendosmërinë, guximin dhe përkushtimin e tyre drejt shtrirjes dhe sundimit të ligjit në tërë territorin e Republikës së Kosovës.
Ndër të tjera, sindikata e Pavarur e Doganës së Kosovës uron që doganierët, policët dhe të gjithë qytetarët e Kosovës prezent në atë pjesë që të mos kenë pasoja, njëherit fton institucionet kompetente që të kujdesen për sigurinë, kushtet e punës dhe shëndetin e doganierëve, policëve dhe qytetarëve atje.
Ndryshe, të premten e 16 dhjetorit bëhen shtatë ditë që serbët lokalë kanë ngritur barrikada në shenjë pakënaqësie me arrestimin e një ish-pjesëtari serb të Policisë së Kosovës.
Të njëjtat barrikada vazhdojnë të qëndrojnë ende të palëkundura përkundër thirrjeve ndërkombëtare që ato të hiqen menjëherë.