​Hoti: Vetëm qeveritë autoritare miratojnë ligje pa dhënë mundësi që të shprehen atyre që ndikohen nga ato ligje

Aktuale

​Hoti: Vetëm qeveritë autoritare miratojnë ligje pa dhënë mundësi që të shprehen atyre që ndikohen nga ato ligje

Më: 16 dhjetor 2022 Në ora: 15:35
Avdullah Hoti

“Pse gjithë kjo nguti nga mazhoranca për dy nga ligjet më të rëndësishme për administratën shtetërore?”, kjo është pyetja ë shtron publikisht ish kryeministri Avdullah Hoti.

“Dy ligjet më të rëndësishme për administratën shtetërore të Republikës së Kosovës, “Ligji për pagat në sektorin publik” dhe “Ligji për zyrtarët publik”, po shqyrtohen në procedurë të përshpejtuar pa asnjë arsye”, ka shkruar Hoti në Facebook.

Ish kryeministri Hoti ka theksuar se, ligji i pagave i përcakton të ardhurat e rreth 85 mijë të punësuarve dhe familjeve të tyre, pra të ardhurat nga të cilat jetojnë rreth 400 mijë qytetarë. Ndërkaq, Ligji i zyrtarëve publik përcakton statusin e punësimit, të drejtat dhe karrierën e të gjithë zyrtarëve publik.

“Sipas vendimit të djeshëm të Kuvendit, afati për amendamente është deri të hënën më 19.12.2022, në orën 12:00. Nuk ka asnjë mundësi që për dy ditë të vikendit të shterren diskutimet me grupet e interesit: me sindikatën e arsimit, të shëndetësisë, të shërbimit civil, të policisë dhe sindikatat e tjera. Kjo qasje e mazhorancës nuk ka asnjë kuptim. Këto dy ligje duhet të miratohen vetëm pas diskutimeve gjithëpërfshirëse dhe shteruese me të gjithë ata që ndikohen nga këto ligje. Nuk është e mjaftueshme që këto dy ligje të jenë në përputhje me kushtetutën. Ato duhet të jenë në përputhje me parimet elementare të të drejtave të të punësuarve në sektorin publik, si dhe të dakorduara në parim me sindikatat që i përfaqësojnë ata të punësuar”, ka thënë ai.

Hoti ka vlerësuar se, koha e mjaftueshme dhe e arsyeshme për diskutim publik të projektligjeve që shqyrtohen në Kuvend është parim elementar në demokracitë funksionale. Vetëm qeveritë autoritare miratojnë ligje pa dhënë mundësi që të shprehen atyre që ndikohen nga ato ligje.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat