E moshuara që ishte sulmuar në shtëpinë e pleqve “Orenda” në Pejë ka edhe shenja të dhunës dhe përvëlimit.
Kështu tregon ekspertiza mjekoligjore që i është bërë viktimës.
“Po, unë e kam pranuar një raport të ekspertizës mjekoligjore, i cili tregon që ka pasur djegie në këmbë dhe shenja të tjera që përshkruhen detajisht në raport. Me këtë raport vërtetohet që e mbrojtura ime nuk është trajtuar siç duhet në atë qendër” – tha Meshari Selimaj, avokati që mbron familjen e të moshuarës që u sulmua në Pejë.
KALLXO ka siguruar edhe ekspertizën e rastit. Aty është konstatuar se djegia lëkurore (përvëlim) në këmbën e majtë është shkaktuar si pasojë e temperaturës së lartë, siç mund të jenë lëngjet e nxehta.
Ekspertiza vë në pah se 7 deri 14 ditë më parë ka pasur edhe gjak mbledhje nën lëkurë që dyshohet se janë shkaktuar nga veprimi mekanik i mjetit të fortë ose përplasjes së trupit në objekt.
Ndërsa avokati Selimaj po pretendon se ekspertiza është hartuar shumë më herët, e ai e ka pranuar atë me vonesë prandaj avokati shprehet se mund të ketë pretendime nga palët e tjera që të fshehin të vërtetën e këtij rasti.