Sindikata e Punëtorëve të Radiotelevizionit të Kosovës u ka dërguar letër deputetëve të Kuvendit, nga të cilët ka kërkuar korrigjim të buxhetit për RTK-në.
Sindikata ka kërkuar që të kthehet buxheti i para dy vitesh, pasi me buxhetin aktual pamundësohet funksionimi i RTK-së.
“Nuk ka shikueshmëri pa buxhet, s`ka programe e as teknologji të re. Nuk ka televizion publik që mund të funksionojë pa financa dhe me buxhetin që funksionon RTK-ja” thuhet ndër të tjerash në letër.
Kjo është letra e plotë e Sindikatës së Punëtorëve të RTK-së:
Të nderuar deputetë, po ju shkruajmë për të satën herë si Sindikatë e Punëtorëve, në lidhje me kushtet dhe buxhetin tepër të vogël të RTK-së.
Si përfaqësues të punëtorëve të RTK-së, ju bëjmë thirrje që ta ktheni buxhetin e mediumit publik në lartësinë siç ka qenë para dy vitesh, jo pse është i mjaftueshëm për RTK-në, por buxhetin që e keni ndarë aktualisht, është kolapsim i televizionit të vetëm publik në vend.
Tash e 23 vjet, asnjëra legjislaturë nuk bëri zgjidhje të përhershme sa i përket financimit dhe pronës, përveç deklaratave, të cilat kanë mbetur të parealizuara deri më tani.
Sindikata ka një pyetje për të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës, a e keni në plan ta mbështesni televizionin publik apo çfarë planesh keni?
Me buxhetin e ndarë aktualisht pamundësohet funksionimi i RTK-së, e lëre më të flasim për investime e emisione të reja. Nuk ka shikueshmëri pa buxhet, s`ka programe e as teknologji të re.
Nuk ka televizion publik që mund të funksionojë pa financa dhe me buxhetin që funksionon RTK-ja.
Sindikata e Punëtorëve e RTK-së ju bën thirrje që ta mbështesni me buxhet RTK-në, sepse është në gjendje të rëndë financiare. Duke e mbështetur me kthimin e buxhetit ashtu si çka qenë para dy vitesh, RTK mund të dalë nga kjo situatë e rëndë financiare. Disa herë ju kemi alarmuar që objektet ku ne punojmë janë të rrezikshme për shëndetin dhe në rrezik për t`u shembur.
Neve si Sindikatë e Punëtorëve nuk na mbesin rrugë të tjera për ta mbrojtur RTK-në dhe punonjësit e saj, përveç përmes rrugëve ligjore si grevat e protestat.
Andaj, ju bëjmë thirrje që ta korrigjoni buxhetin për RTK-në, në mënyrë që ajo ta marrë veten.