Zëdhënësi i Qeverisë, Perparim Kryeziu, edhe këtë të hënë ka publikuar të ashtuquajturat “Top 5 ngjarjet e javës me Qeverinë Kurti”.
Në këtë pesëshe, Kryeziu ka përfshirë aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, miratimin e Komisionit të Venencias për ndryshimet në projektligjin e byrosë për konfiskim të pasurisë së pajustifikueshme, miratimin e buxhetit për vitin 2023, e kështu me radhë.
Ky është njoftimi i Kryeziut:
Pesë nga ngjarjet kryesore të javës që lëmë pas
Republika e Kosovës aplikoi për anëtarësim në Bashkimin Evropian ndërkaq institucionet e BE-së u pajtuan për heqjen e regjimit të vizave për qytetarët e Kosovës, më së largu me 1 janar 2024.
Komisioni i Venecias miratoi ndryshimet në projektligjin e byrosë për konfiskimin e pasurisë se pajustifikueshme. Projektligji tash shkon drejt miratimit në Kuvend të Kosovës.
Me 65 vota për, Kuvendi i Kosovës miratoi buxhetin për vitin 2023 me vlerë 3.2 miliardë euro.
Kosova shënoi rritje prej 44% të eksportit të produkteve bujqësore dhe ushqimore krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
202,252 familje përfituan nga subvencionimi i dyfishtë i Qeverisë për kursim të energjisë elektrike për muajin tetor. Për muajin shtator kishin përfituar gjithsej 167,571 familje.
