Ish gjenerali Ramadan Qehaja, e ka quajtur shqetësues faktin e largimit të 127 pjesëtarëve të FSK-së nga detyra, që e tregoi ministri i mbrojtjes sot.
Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se për këtë janë disa shkaqe, të cilat i shpjegon.
Qehaja ka shtuar se kjo duhet të analizohet në çdo komandë apo njësi të FSK-së për çdo person posaçërisht, për të mundur që të ndërmarrim masa të duhura që kjo në të ardhmen mos të ndodhë së paku, jo në këtë masë.
Postimi i tij i plotë:
Me shkas,
Gjatë raportimit të sotëm, të ministrit të mbrojtjes para komisionit parlamentar për siguri më ra në sy një element shumë i rëndësishëm e ky është që një numër i pjesëtarëve të FSK-së e kanë braktisur detyrën. Në shiqimin e parë numri prej 127 pjesëtarëve të kësaj force duket (ashtu siç tentoi ta shpjegoi ky ministër) i vogël. Mirëpo, kur të shqyrtohet kjo dukuri në bazë të numrit të tërësishëm të FSK-së, atëherë duhet të shqetësohemi dhe të bëjmë analizë të veçantë për të.
Sipas mendimit tim, për këtë ikje nga struktura e ushtrisë sonë ekzistojnë disa shkaqe:
– Specificiteti i detyrës së ushtarakut e që nuk është e lehtë;
– Paga mujore, si duket deri më tani ka qenë jo adekuate për kryerjen e detyrave etj;
– Në largimin apo ikjen e këtyre pjesëtarëve të forcave ushtarake, mendoj se mund të ketë ndikim edhe rregullimi i brendshëm, përkatësisht disiplina , e cila duhet të zbatohet dhe
– Nepotizmi i cili ekziston në disa mjedise ushtarake e që shumë negativisht mund të ketë ndikuar tek këta persona. Këtu mendoj para së gjithash për ngritje në detyra më të larta, gradime etj. e që nganjëherë bëhen në mënyrë subjektive, përkatësisht jo sipas meritës. Në bazë të praktikës ushtarake me të cilën disponoj, kujtoj se ky mund të jetë një ndër indikacionet kryesore për largimin e këtyre njerëzve.
Konkludim: Kjo dukuri duhet të analizohet në çdo komandë apo njësi të FSK-së për çdo person posaçërisht, për të mundur që të ndërmarrim masa të duhura që kjo në të ardhmen mos të ndodhë së paku, jo në këtë masë.