Admirali i NATO-s nga Beogradi flet për zhvillimet në veri të Kosovës: Palët të përmbahen nga demonstrimi i forcës

Aktuale

Admirali i NATO-s nga Beogradi flet për zhvillimet në veri të Kosovës: Palët të përmbahen nga demonstrimi i forcës

Më: 20 dhjetor 2022 Në ora: 11:40
Stuart Musch

Komandanti i Komandës së Forcave të Përbashkëta të NATO-s, admirali Stuart Musch, po qëndron për vizitë në Beograd ku pritet të ketë takime me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Në një intervistë për agjencinë e lajmeve, Beta, ai foli për zhvillimet e fundit në veri të Kosovës. Ai tha se presin që palët të përmbahen nga veprimet që mund të çojnë në tensionim të mëtutjeshëm të situatës.

Musch tha se misioni i KFOR-it po monitoron nga afër situatën në veri të Kosovës dhe shtoi se është “plotësisht i aftë dhe i gatshëm të sigurojë një mjedis të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjitha komunitetet kudo në Kosovë, në përputhje me mandatin e bazuar në Rezolutën 1244″.

“Që nga tetori ne kemi rritur praninë, ndër të tjera duke shtuar forcat, si dhe patrullimet në veri të Kosovës këtë javë. Presim që të gjithë akterët të jenë në koordinim të ngushtë me misionin e KFOR-it dhe të përmbahen nga demonstrimi i forcës, në mënyrë që të ruhet siguria e të gjitha komuniteteve”, tha ai.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti edhe sot ka përsëritur se barrikadat në veri nuk mund të tolerohen edhe shumë gjatë. Por, Kurti ka shtuar se shqetësimi i tyre është “se heqja e këtyre barrikadave nuk mund të përjashtojë viktimat”, andaj ka shtuar ai, kjo është arsyeja pse po veprojnë me shumë kujdes.

“Shqetësimi ynë [është] se heqja e këtyre barrikadave nuk mund të përjashtojë mundësinë e viktimave. Dhe kjo është arsyeja pse ne duam të jemi sa më të kujdesshëm për t’u siguruar që nuk do të ketë destabilizim dhe do të ketë paqe dhe siguri relative”, citohet të ketë thënë Kurti nga mediumi britanik The Guardian.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat