Dita e 11 me barikada në veri, Rakiq përmend kushtet për heqjen e tyre

Aktuale

Dita e 11 me barikada në veri, Rakiq përmend kushtet për heqjen e tyre

Më: 20 dhjetor 2022 Në ora: 16:02
Goran Rakiq

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, ka thënë se kushtet e tyre për t’i hequr barikadat janë që të lirohen të arrestuarit dhe të tërhiqet Policia nga Veriu i Kosovës, si dhe pa prova pretendon për disa lista që sipas tij janë për “vrasjen e serbëve”.

Rakiq njëjtë si drejtori i së ashtuquajturës  “Zyre për Kosovën”, Petar Petkoviq, ka shtrëmbëruar intervistën e kryeminsitrit Kurti dhënë The Guardian i cilit tha se “është i shqetësuar pasi procesi i largimit të barrikadave mund të shkaktojë viktima”.

E kjo deklaratë është keqinterpretuar nga pala serbe si ”thirrje për vrasje”.

“Narrativa antiserbe e Prishtinës ka vazhduar me muaj e vite. Njerëzit tanë e ndjenë vetë se sa shumë Prishtina kujdeset për respektimin e të drejtave të tyre. Mirëpo, deklarata e fundit e Albin Kurtit ka kaluar çdo masë. Në të, Kurti haptazi sugjeron vrasjen e serbëve në barrikada, sepse sipas tij, ata nuk mund të largohen ndryshe”, ka thënë Rakiq.

Ai ka kërkuar edhe reagimin e bashkësisë ndërkombëtare.

Tash e 11 ditë, disa serbë lokalë të urdhëruar nga Lista Serbe kanë vendosur barrikada. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat