​Prokuroria e Apelit dhe ajo Themelore në Prishtinë nga nesër fillojnë punën me kapacitete të plota

Aktuale

​Prokuroria e Apelit dhe ajo Themelore në Prishtinë nga nesër fillojnë punën me kapacitete të plota

Më: 20 dhjetor 2022 Në ora: 16:35
Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK)

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), i udhëhequr nga Kryesuesi Jetish Maloku, ka mbajtur takimin e 224-të me radhë, sipas rendit të paraparë të ditës. Takimi ka filluar me plotësim-ndryshimin e agjendës dhe me miratimin e procesverbaleve të takimit 221, 222 dhe 223 të KPK-së.

Në vazhdim është shqyrtuar dhe miratuar kërkesa e Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prizren për avancimin e përhershëm të një prokurori në Departamentin e Krimeve të Rënda, me ç’ rast, Këshilli ka marrë vendim për shpalljen e brendshme sipas kërkesës së lartcekur.

KPK gjatë këtij takim ka marrë vendim për shfuqizimin e Vendimit të datës 21 tetor 2022, për reduktimin esencial të aktiviteteve të punës në Objektin C të Pallatit të Drejtësisë, aty ku janë të vendosura Prokuroria e Apelit dhe Prokuroria Themelore e Prishtinës dhe nga nesër e mërkurë, 21 dhjetor 2022, puna në këto dy prokurori do të fillojë me kapacitete të plota.

Në fund të takimit, Këshilli miratoi pjesërisht raportin për vlerësimin e performancës së shtatë prokurorëve me mandat të përhershëm, duke miratuar kështu edhe një kundërshtim të paraqitur kundër këtij raporti.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat