Flasin policët e Kosovës që 11 ditë që janë të bllokuar në Leposaviq: Pa ardhur dikush ne nuk lëvizim

Aktuale

Flasin policët e Kosovës që 11 ditë që janë të bllokuar në Leposaviq: Pa ardhur dikush ne nuk lëvizim

Më: 20 dhjetor 2022 Në ora: 16:45
Policia

Qe 11 ditë, disa policë të Policisë së Kosovës, kanë mbetur të bllokuar në objektet policore në Jarinjë e Leposaviq. Kjo për shkak të barrikadave të vendosura nga qytetarët serbë atje.

Ndonëse ende nuk është arritur ndonjë marrëveshje për heqjen e kamionëve e makinerive të rënda, kryesindikalisti Imer Zeqiri thotë se brenda një “kohe të shkurtër” do të bëhet ndërrimi i tyre, derisa ka një kritikë për KFOR-in.

Sot është dita e 11-të prej kur serbët lokalë kanë vendosur barrikada në disa rrugë në Veri, në shenjë revolte ndaj arrestimit të ish-policit serb, Dejan Pantiq. Bllokimi i rrugëve ka pasuar me bllokimin e policëve që ishin dhe po vazhdojnë të jenë në Leposaviq dhe Jarinjë.

Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri, ka thënë se policët që ndodhen atje kanë ushqim, ujë të pijshëm e derivate të mjaftueshme.

Mirëpo, Zeqiri deklaroi se qëndrimi në punë për 11 ditë është “jashtë normales”, ndërsa shtoi se nuk e kupton hezitimin e KFOR-it për asistencë në ndërrimin e policëve.

“Është tejkaluar gjithçka e normales, që qe 11 ditë të qëndrojnë në punë ditën edhe natën, ky është shqetësimi jonë. Ambienti ku janë ata nuk është me kushte normale, kanë ushqim të mjaftueshëm, ushqim i konservuar dhe ujë të pijshëm. Ata kanë edhe derivate,  por pengesa është që nuk është bërë ndërrimi i policëve. Kjo është shkelje e rëndë që po vjen shkaku i barrikadave. Shqetësimi ynë është hezitimi i KFOR-it për asistencë, nuk po e kuptoj pse po ndodh kjo. Situata të tilla kemi pasë edhe më herët dhe na kanë asistuar që të bëjmë ndërrimin e policëve”, u shpreh Zeqiri.

Zeqiri tha se janë duke u shqyrtuar mundësitë që “brenda një kohë të shkurtër do të bëhet ndërrimi i tyre”, mirëpo nuk dha ndonjë afat të caktuar kohor.

“Janë duke u shqyrtuar mundësitë që brenda një kohe të shkurtë, brenda disa ditësh, do të bëhet ndërrimi i policëve dhe do të normalizohet puna e Policisë së Kosovës”.

Kryesindikalisti tha se vazhdimisht janë në kontakt me policët në Leposaviq e Jarinjë, derisa tregoi se çka i kanë thënë ata.

“Kur po flas me ta, ata po thonë që ‘pa ardhë dikush ne nuk lëvizim’, pra kanë një vullnet dhe moral jashtëzakonisht të lartë dhe i kanë të gjitha pajisjet që iu nevojiten për të kryer punën”, tha Zeqiri.

Ai bëri të ditur se kanë kërkuar nga institucionet ndërkombëtare që të asistojnë në procesin e ndërrimit të policëve, pa dhënë më shumë detaje.

“Është penguar puna e policisë dhe liria e lëvizjes për qytetarët. U kemi bërë thirrje edhe institucioneve ndërkombëtare që të na asistojnë që të zhbllokohen punët para se të ndodh kriza humanitare”, tha ai.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat