Qeveria e Kosovës duhet të nisë me formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.
Ky është një nga rekomandimet që ka dal nga takimi mes përfaqësuesve të partive politike të Kosovës dhe atyre të Serbisë, që është mbajtur më 11 dhe 12 janar në Solothurn të Zvicrës.
Disa nga pjesëmarrësit në këtë takim thanë se Asociacioni duhet të jetë pjesë e marrëveshjes gjithëpërfshirëse.
“Asociacioni mbetet një çështje e mprehtë. Serbet vazhdojnë të këmbëngulin në formimin e tij, derisa shqiptarët e argumentojnë se kjo nuk është e nevojshme. Mirëpo shumë nga pjesëmarrësit thanë se Kosova duhet të hartojë një statut dhe të formojë Asociacionin. Mund të duket sikur Kosova po heq dorë nga pazari për negociatat e mëdha, por kjo do të thotë gjithashtu se Kosova po e rregullon vullnetarisht një problem të brendshëm. Disa megjithatë këmbëngulën se Asociacioni duhet të jetë pjesë e marrëveshjes gjithëpërfshirëse”, thuhet në rekomandimet e dokumentit “Non -Paper” që ka dal nga ky takim.
“Qeveria e Kosovës duhet të fillojë me hartimin e statutit të Asociacionit. Disa thanë se statuti duhet të hartohet brenda katër muajve”.
Gjithashtu në këtë rekomandim u tha se është e nevojshme se zgjidhja për mbajtjen e zgjedhjeve në komunat veriore duhet të gjendet brenda tre muajve.
“Duhet të diskutohet një model për zgjedhjet në veri në të cilat marrin pjesë serbët dhe brenda tre muajve palët të bien dakord. BE dhe ShBA duhet të jenë palë në zgjidhjen e kësaj mosmarrëveshje duke shtyrë Prishtinën dhe Beogradin të bien dakord për kornizën e negociatave. Ata duhet të kalojnë nga roli i lehtësuesit në atë të ndërmjetësit. Korniza duhet të ngushtojë gamën e opsioneve për partive. Propozimi i BE-së, i njohur si propozimi franko-gjerman, duket se e bën pikërisht këtë”.
Palët theksojnë se marrëveshja gjithpërfshirëse po bëhet urgjente.
Për takimet e mbajtura në Zvicër pati raportuar edhe gazeta “NZZ”.
Këto takime kjo gazetë i cilësoi “sekrete”.
Kjo u konfirmua për Klankosova.tv edhe nga Departamenti i Jashtëm i Zvicrës se përfaqësues të partive politike nga dyja vendet kanë pasur takime, një javë pasi pjesëtarë nga komuniteti serb dhanë dorëheqje nga institucionet e Kosovës.
Në përgjigje thuhet se takimet nuk ishin zhvilluar në nivel qeveritar.
Diplomacia zvicerane mohon që ndonjëherë të ketë ndërmjetësuar takime në mes të dy kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq.