Mehaj: Me Ligjin për Paga ngrihet mirëqenia ekonomike e ushtarit

Aktuale

Mehaj: Me Ligjin për Paga ngrihet mirëqenia ekonomike e ushtarit

Më: 22 dhjetor 2022 Në ora: 20:06
Foto ilustrim

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka thënë se me miratimin e Ligjit të Pagave të enjten në Kuvendin e Kosovës do të ketë ngritje në mirëqenien socio-ekonomike për ushtarët.

Mehaj ka shkruar në Facebook se me këtë ligj, dallimi në mes të koeficientit më të lartë dhe ushtarit të FSK-së, është 3.21 herë.

“Me Ligjin e Pagave të votuar sot nga Kuvendi i Republikës dallimi në mes të koeficientit më të lartë që është presidentja, komandantja supreme, dhe ushtarit të FSK-së është vetëm 3.21 herë, e dallimi në mes të pagës së kryeministrit dhe ushtarit të thjeshtë është vetëm 2.93 herë. Kjo është social-demokracia dhe kujdesi ndaj mirëqenies së qytetarëve!”, ka shkruar Mehaj.

Sipas tij, përmes ligjit nuk ekziston më dallimi i madh ndërmjet pagës më të lartë dhe asaj më të ulët.

Qeveria nuk e ka bërë të ditur ende vlerën e koeficientit për pagat e zyrtarëve publikë, derisa kjo është kritikuar edhe nga deputetët opozita.

Ndryshe, sot Kuvendi kaloi edhe Ligjin për Zyrtarët Publik.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat