Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, Mehmet Kraja, i është kundërpërgjigjur Seksionit të Shkencave Shoqërore të AShAK-ut, pasi këta të fundit thanë të enjten se një tekst i analizës së publikuar nga kryeakademiku po e dëmton imazhin e akademisë.
Kraja tha se sot ka kërkuar nga shërbimet teknike që të vihet emri i tij në krye të tekstit analizës në ueb-faqen e Akademisë. Analiza e tij u përcoll ditëve të fundit me kritika të ashpra, pasi u pa si problematike dhe ofenduese për Kosovën, disa politikanë si dhe për UÇK-në.
Megjithatë, Kraja tha se e merr përgjegjësinë për çdo shkronjë të këtij teksti. Gjithashtu, ai ka treguar edhe qëndrimet e anëtarëve të AShAK-ut lidhur me analizën.
Sipas tij, vetëm Sabri Hamiti, i cili është sekretar i seksionit të Gjuhësisë dhe Letërsisë, analizën e ka quajtur politike dhe shprehet i rezervuar për shpërndarjen e saj.
Të tjerët, në një formë e përkrahën iniciativën e Krajës për publikimin e atij teksti.
Më poshtë gjeni qëndrimet e anëtarëve të AShAK-ut mbi analizën “Synimet destabilizuese në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor”:
E dyta, lidhur me reagimin rreth analizës “Synimet destabilizuese në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor”, duhet të saktësoj se me datë 17 janar 2022, në mbledhjen e Kryesisë së Akademisë është diskutuar teksti i analizës dhe, mbështetur në procesverbalin e mbledhjes (nuk mund ta bëj publik pa vendim Kryesie, prandaj duhet ta parafrazoj) është diskutuar teksti i analizës dhe sipas radhës, janë shprehur këto qëndrime:
1. Justina Shiroka-Pula, nënkryetare, e përkrah si iniciativë dhe thotë se ia ka përcjellë kryetarit disa sugjerime;
2. Luan Mulliqi, sekretar shkencor, e mbështet analizën dhe kërkon që ajo të publikohet menjëherë;
3. Sabri Hamiti, sekretar i seksionit të Gjuhësisë dhe Letërsisë, analizën e quan politike dhe shprehet i rezervuar për shpërndarjen e saj;
4. Gjylieta Mushkolaj, sekretare e Seksionit të Shkencave Shoqërore, e përkrah iniciativën dhe analizën, duke sugjeruar që ajo të plotësohet me referenca;
5. Fetah Podvorica, sekretar i Seksionit të Shkencave të Natyrës, e përkrah iniciativën dhe analizën, duke sugjeruar që ajo të plotësohet me referenca;
6. Rauf Dhomi, sekretar i Seksionit të Arteve, e mbështet analizën dhe sugjeron që ajo të publikohet menjëherë;
7. Mehmet Kraja, kryetar, e mbështet analizën dhe publikimin e saj.
Ndonëse nuk kishte obligim statutor (për çfarëdo publikimi është kompetente Kryesia), me propozimin e kryetarit, Kryesia vendosi që teksti i analizës t’u vihet në dispozicion të gjithë anëtarëve të Akademisë dhe me mesazhin e bashkëlidhur iu kërkua anëtarëve që për vërejtjet eventuale të shprehen me shkrim në një afat prej 10 ditësh (24 janar 2022).
Nga të gjithë anëtarët e Akademisë (38 anëtarë), janë përgjigjur me shkrim dy anëtarë: akademik Isa Mustafa dhe anëtari korrespodent Arsim Bajrami.