Bërnabiqit s’i pëlqen deklarata e Ischinger: A e dini pse po protestojnë serbët në Kosovë?

Aktuale

Bërnabiqit s’i pëlqen deklarata e Ischinger: A e dini pse po protestojnë serbët në Kosovë?

Më: 24 dhjetor 2022 Në ora: 14:36
Ana Bërnabiq

Deklarata e ish-emisarit gjerman në bisedimet Kosovë-Serbi gjatë vitit 2007-2008, Wolfgang Ischinger, që ia nxjerr në pah veprimet e Serbisë në Kosovë s’i ka pëlqyer kryeministres serbe, Ana Bërnabiq.

Përmes një postimi në Twitter, Ischinger ka fajësuar Serbinë për situatën e tensionuar në Veri, derisa ka kërkuar nga Bashkimi Europian që të veprojë urgjentisht.

“Thellësisht i shqetësuar për tensionet e vazhdueshme. Duhet veprimi/roli vendimtar i BE-së urgjent. A është vënë në dijeni Serbia se nxitja e dhunës në shtetin fqinj, Kosovën, do ta bënte të pamundur vazhdimin e procesit të anëtarësimit në BE?”, ka shkruar më herët diplomati gjerman.

Bërnabiq si argumente në përgjigjen ndaj tij ka shfrytëzuar informatat propaganduese të tyre për ngjarjet në veri të Kosovës.

Ajo pretendoi se serbët në Kosovë po arrestohen e po mbahen peng, duke shtuar se po protestojnë për zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit.

“I dashur Ischinger, a e dini pse serbët po protestojnë? Lutjet e tyre janë: 1) Zbatimi i Marrëveshjes së Brukselit (nënshkruar në 2013!); 2) sundimi bazë i ligjit (të mos arrestohen sipas dëshirës dhe të mbahen peng pa pasur as kontakt me familjet e tyre). A është shumë të kërkohet? Në kundërshtim me vlerat e BE-së?”, ka shkruar Bërnabiq.

Ndërkaq, Ischinger në postimin e tij ku i bën thirrje BE-së për të reaguar ka shpërndarë edhe një artikull të “The Economist”, me titull “Kosova dhe Serbia sërish në prag të konfliktit”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat