Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se në janar do të caktohet koeficienti për Ligjin e Pagave, i cili ditë më parë u miratua në Kuvend.
Kurti në konferencën për media ka kërkuar durim nga qytetarët, teksa ka thënë se pikënisje për Qeverinë e udhëhequr prej tij në Ligjin e Pagave ka qenë tërësia dhe jo vlera e koeficientit.
“Kemi marrë kohë më shumë se që është dashur. Duke pas parasysh përvojën e parë që herën e parë na u hodh poshtë, nuk kemi dashur të nxitohemi. 745 milionë euro është totali.
Për ne, pikënisja është tërësia, jo pjesa, jo elementi. Nuk e kemi pas si pikënisje vlerën e koeficientit, por si tërësi. Në janar do të vendoset vlera e koeficientit. Nuk mund ta përcaktojmë koeficientin me Ligjin e Pagave, por me buxhet. Po kërkoj pak durim prej juve, saktësisht në janar të vitit 2023”, ka deklaruar ai.