Një grup qytetarësh kanë dalë në protestë ditën e sotëm para ambasadës Serbe në Tiranë në lidhje me situatën e krijuar në veri të Kosovës.
Protesta u organizua nga Këshilli Organizativ i Kuvendit Kombëtar Shqiptar dhe Unioni Shqiptar i Shoqërisë Civile.
Me thirrjet “Hiqni duart nga Kosova, Mitrovica është e jona”, “Kosovë-Shqipëri ne jemi 1”, aktivistët kërkuan që qeveria shqiptare të kushtëzojë marrëdhëniet me Serbinë.
“Komuniteti ndërkombëtar nuk duhet të harrojë që ka një marrëveshje që nga koha e Millosheviçit për bashkimin me e Serbisë me Rusinë. Ky fakt përbën një rrezik të madh. Qeveria shqiptare është deklaruar në mbështetje të qeverisë së Kosovës, por duhet të mblidhet nga presidenti i Republikës edhe Këshilli i Sigurisë Kombëtare. Nuk kemi se pse fshihemi pas gishtit. Qeveria shqiptare të kushtëzojë marrëdhënien me Serbinë. Është në nderin e saj të ngrijë të gjitha marrëveshjet e nënshkruara. Duhet të shfaqemi si komb dhe jo si copa të kombit shqiptar. Kërkojmë nga diplomacia shqiptare të deklarohen se shqiptarët janë kundër prekjes së qeverisë së Kosovës. Kërkojmë nga SHBA që mot të tërhiqen përballë presionit ruso-serb. Evropa nuk duhet të përdorë më dy standarde në raport me shtet e tjera”, u shpreh një nga aktivistët.
Lidhur me protestën ka pasur reagime edhe nga opozita shqiptare. Deputeti demokrat Kreshnik Çollaku është shprehur se vendosja e barrikadave në veri është thjesht plani i Serbisë për të ndarë Kosovës.
“Plani për Ndarjen e Kosovës kurrë nuk vdiq. Ai vetëm u fsheh. “Assocacioni” është vetëm shkaku, barrikadimi i Mitrovicës sipas vijave të ndarjes etnike, është qëllimi, është Plani për Ndarjen e Kosovës…,këtë herë dhe me luftë. Kosova dhe shqiptaria duhet të gjejë Unitet në këtë situatë kërcënuese për Paqen ne Ballkan”, shkruan Çollaku.
Kurse Fatmir Mediu e ka quajtur pozicion të papranueshëm, qëndrimin e deritanishëm të Shqipërisë në lidhje me situatën në Kosovë. Sipas tij vendosja e mbi 5000 trupave Serbe në kufi me Kosovën me gjithë mjetet luftarake është qartësisht agresioni ushtarak, është e njëjta sjellje si e Rusisë me Ukrainën.
“Çfarë duhet të ndodh më që të mblidhet Këshilli i Sigurisë Kombëtare? Presidenti i Republikës, pavarësisht se Këshill ka kohë që ka dalë nga funksioni i tij Kushtetues duhet ta thërras urgjent atë dhe të përcaktojë detyrimet e qeverisë, shërbimeve inteligjente dhe atyre diplomatike për këtë situatë. Çfarë duhet të presë Kryeministri, që ta shtrojmë këtë çështje dhe situatë urgjentisht në NATO? Konsultimi dhe koordinimi me vendet e tjera të NATOS në Ballkan është domosdoshmëri, sepse jo vetëm situata në Kosovë, por dhe ajo në BiH, në Malin e Zi dhe shpenzimet ushtarake të Serbisë me mbështetjen e Rusisë dhe Kinës, janë tashmë një shqetësim real për vendet e Ballkanit, por dhe për aleatët tanë”, është shprehur Mediu.