Burime diplomatike greke bëjnë me dije se për shkak të situatës së tensionuar që mbizotëron në veri të Kosovës ministri Jashtëm grek Nikos Dendias ka komunikuar sot me shefen e Zyrës Ndërlidhëse të Greqisë në Prishtinë, si dhe me zyrtarë të detashmentit grek të KFOR-it, për t’u informuar për situatën në zonë pas zhvillimeve të fundit.
Sipas të njëjtave burime kreu i diplomacisë greke, në kuadër të iniciativave që ndërmerr për uljen e tensionit, nëpërmjet vizitave të shpeshta në rajonin e Ballkanit Perëndimor, është në kontakt të rregullt edhe me të dërguarin e posaçëm të BE-së për Ballkanin Perëndimor, Miroslav Lajçak, ashtu siç ndodhi dhe javën e kaluar para vizitës së tij në Prishtinë.
Për këtë qëllim ka emëruar ambasadoren, Sofia Grammata, të dërguarën speciale për Ballkanin Perëndimor.
Greqia i kushton rëndësi parësore konsolidimit të paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe mbështet vazhdimin e dialogut Beograd-Prishtinë në favor të një zgjidhjeje të dakorduar reciprokisht të çështjeve të pazgjidhura, përfundimtare dhe ligjërisht të detyrueshme - theksojnë burimet diplomatike.