Ish- Kryeministri dhe deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka numëruar veprimet që mund ta nxjerrin Kosovën nga kurthi i Serbisë.
Hoti përmes një shkrimi në Facebook, ka thënë se duhet të hiqen barrikadat në bashkëpunim me KFOR-in, të kërkohet nga BE dhe SHBA t’i bëhet presion Serbisë, të ruhet paqja dhe të mos përmendet lufta e konfliktet
“Veprimet që nxjerrin Kosovën nga kjo kurthë e Serbisë:
1. Hiqni barrikadat në veri në bashkëpunim me KFOR-in. I keni lënë të zënë vend tepër gjatë.
2. Kërkoni me ngulm nga BE-ja dhe SHBA-ja të bëjnë presion tek Serbia të mos pengohen dhe të mos rrezikohen qytetarët tanë që kalojnë nëpër Serbi.
3. Ruajeni paqen fuqishëm. Tregoni gatishmëri për dialog dhe zgjidhje paqësore. Dëgjoni këshillat e miqve për veprimet që duhet ndërmarrë në kuadër të dialogut.
4. Mos përmendni luftë e konflikte. Luftën e kemi paguar shtrenjtë, por e kemi fituar me ndihmën e miqve. Rreziku është të humbim në paqe për shkak të humbjes së mbështetjes nga miqtë tanë”, ka shkruar Hoti