Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se koha e dhënë ndaj KFOR-it për largimin e barrikadave në veri po shteron me shpejtësi.
Në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, Kurti tha se vendosja e barrikadave në veri është e paligjshme dhe se nuk do të tolerohet.
Kurti: Koha e dhënë ndaj KFOR-it për largimin e barrikadave në veri po shteron me shpejtësi
“Veprimeve dhe vendimeve të ligjshme të Qeverisë dhe institucioneve të Kosovës i janë kundërvënë kriminelët duke sfiduar organet e zbatimit të ligjit, por edhe duke cenuar sigurinë e vendit. Fatkeqësisht këta kriminelë të sanksionuar nga ShBA-ja dhe Britania e Madhe po mbështeten nga presidenti dhe qeveria e Serbisë me qëllim destabilizimin e rajonit, përveç cenimit të integritetit territorial të Republikës sonë. Institucionet e Kosovës nuk do të bisedojnë dhe bashkëpunojnë me kriminelë, por do t’i arrestojnë ata. Përfaqësuesit legjitim nga komuniteti serb dalin përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, kurse të drejtat e qytetarëve burojnë nga Kushtetuta e Republikës. Vendosja e barrikadave në rrugë është veprim i paligjshëm, i papranueshëm dhe nuk do të tolerohet. Në përputhje me vlerësimet e sigurisë ne i kemi dhënë kohën dhe hapësirën e nevojshme KFOR-it për të vepruar, por sigurisht kjo kohë po shteron me shpejtësi. Ne kemi bashkëpunim dhe bashkërendim me KFOR-in, prandaj edhe kjo dhe hapësira e nevojshme i është dhënë KFOR-it. Por një gjë duhet të kuptohet se nuk mund të qëndrojë edhe parimi i lëvizjes së lirë dhe barrikadat në rrugë që e pengojnë lëvizjen e lirë”, tha ai.
Duke folur për qeverisjen e tij gjatë vitit 2022, kryeministri Kurti tha se janë mbyllur 16 rrugë ilegale në veri dhe është bërë përmirësimi i infrastrukturës rrugore dhe kushteve të punës për zyrtarët policorë atje.
Kurti: Në mbarë vendin janë kryer 850 operacione kundër krimit të organizuar dhe kontrabandës
“Zgjedhjet dhe referendumi i Serbisë që mbaheshin në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e vendit dhe praktikat ndërkombëtare nuk u lejuan në Kosovë. Janë mbyllur 16 rrugë ilegale, është përmirësuar infrastruktura rrugore dhe kanë filluar patrullimet e rregullta ujore në Liqenin e Ujmanit. Në mbarë vendin janë kryer 850 operacione kundër krimit të organizuar dhe kontrabandës. Këto operacione kanë prishur rehatimin e krimit, sidomos në veri të vendit për të cilët mungesa e sundimit të ligjit është liri. Janë 3051 të arrestuar prej të cilëve 288 janë zyrtarë publikë. Janë shkatërruar 69 grupe kriminale dhe janë konfiskuar mbi 1.9 tonë substancë narkotike. Është bërë përmirësimi i infrastrukturës rrugore dhe kushteve të punës për zyrtarët policorë në veri të vendit. Janë ndërtuar katër objekte dhe stacione policore dhe është bërë shtrirja e rrjetit kabllor atje”, tha ai.
Kryeministri Kurti para kabinetit qeveritar tha se viti 2022 ka qenë vit i arritjeve dhe përmirësimit, por edhe sfidave. Përkitazi me këtë, ai tha se Kosova ka filluar të çlirohet nga korrupsioni.
Kurti: Kosova ka filluar të çlirohet nga korrupsioni
“Kosova ka filluar të çlirohet nga korrupsioni, të çlirohet nga korrupsioni jo vetëm si keqpërdorim i parasë publike për përfitime private, por ka filluar të përmirësohet edhe imazhi i shtetit tonë”, shtoi Kurti.
Ai përmendi edhe pakot e mbështetjes ndaj qytetarëve gjatë vitit 2022, ku mes tjerash tha se ka pasur edhe rritje të eksportit.
Ndërkaq, theksoi miratimin e strategjisë për energji, e cila tha se do ta nxjerr Kosovën nga terri.
Kurti: Strategjia e energjisë do ta nxjerr Kosovën nga terri
“Më në fund kemi strategjinë e re të energjisë 2022-2031. Kjo strategji e nxjerr Kosovën nga terri, duke siguruar energji stabile në përputhje me rritjen e saj ekonomike dhe e drejton nga tranzicioni në energjinë e ripërtrishme”, shtoi ai.
Kurti tha se gjatë vitit 2022 kanë marrë 579 vendime dhe se kanë miratuar 71 projektligje në ekzekutiv.