“Vuçiqit nuk i pëlqeu plani franko-gjerman, prandaj i ka marrë të gjitha këto veprime”

Aktuale

“Vuçiqit nuk i pëlqeu plani franko-gjerman, prandaj i ka marrë të gjitha këto veprime”

Më: 28 dhjetor 2022 Në ora: 22:36
Aleksander Vuçiq

Analisti, Arton Demhasaj tha se plani franko-gjerman është arsyeja pse presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq i ka ndërmarrë këto veprime për tensionimin e situatës në veri të Kosovës.

E për largimin e barrikadave, Demhasaj vlerësoi se Vuçiq po tenton të dalë si shpëtimtarë para ndërkombëtarëve.

“Vuçiq njëherë po inskenon situata të tilla në veri, e pastaj po shitet si shpëtimtarë te ndërkombëtarët, që gjoja ai po e ndalë një konflikt të mundshëm mes Kosovës dhe Serbisë. Por, përsëri plani i Vuçiqit nuk ishte të përfundojë kështu, sepse ka qenë plan i përgatitur mirë që situata në veri të eskalojë, sepse si duket Vuçiqit nuk i ka pëlqyer plani franko-gjerman. Prandaj, për t’i ikur planit franko-gjerman, i ka marrë të gjitha këto veprime”, deklaroi Demhasaj.

Gjatë diskutimit për tensionimet në veri, Demhasaj i përmendi edhe disa çështje, që sipas tij janë të rëndësishme për t’u mbajtur mend.

“Tendenca apo plani i përgatitur ruso-serb, ka qenë që në veri të eskalojë situata. Është shumë e rëndësishme të mbahen mend disa pika, e para është: kush ishte ideator për vendosjen e barrikadave, sepse kjo mund të përsëritet prapë, mandej si u përdor lista serbe për të dalë nga institucionet e Kosovës, e që pastaj me u barrikadu veriu dhe në një farë mënyrë, si u organizuan bandat kriminale. Së fundmi, si erdhëm në përfundim që personi i njëjtë që i vendosi barrikadat në veri, të jetë po personi i njëjtë që do i largojë barrikadat”, u shpreh Demhasaj tutje.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat