Politologu, Dritëro Arifi, vlerësoi se pas heqjes së barrikadave në veri, do fillojë realisht dialogu mes Kosovës dhe Serbisë.
Madje sipas tij, Kosova do ketë ende më shumë presion për formimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Problemi tash fillon, pas heqjes së barrikadave, fillon realisht dialogu. Jam i bindur që presioni do vijë më shumë ndaj Kosovës për formimin e asociacionit. Prandaj, Qeveria e Kosovës tash do të përballet me një problem më të madh sesa heqja e barrikadave dhe lirimin me kusht të një ish-polici të dyshuar për terrorizëm. Esenca nuk është te Dejan Pantiq, esenca është që dialogu të përfundojë, sepse përveç rrezikimit të Kosovës, ky është edhe një konflikt i demokracisë dhe i lindjes”, u shpreh Arifi.
Më tej, Arifi konsideroi se SHBA dhe BE po i kushtojnë rëndësi të madhe këtij procesi, pasi janë të involvuar të gjithë akterët.
“Pra, çdo konflikt që eskalon, do të dështojnë të gjithë, përveç Rusisë”, tha ai.
Megjithatë, Arifi tha se çështja në veri është shumë serioze, teksa i bëri thirrje Qeverisë Kurti të vetëdijësohet sa më shpejt.
“Nëse nuk ka guxim Qeveria, atëherë duhet ta thonë që s’kanë guxim”, tha Arifi në Tëvë1.
Kujtojmë se pika kufitare në Merdarë është mbyllur për qarkullim pas vendosjes së barrikadave në territorin e Serbisë që e lidhë me Republikën e Kosovës të martën në mbrëmje.