“Edhe Saime Domazeti vritet në duar të shtetit”, është analiza e rastit të cilën e ka publikuar Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) dhe organizata CLARD. Sipas këtij raporti, edhe në këtë rast dëshmohet se si Prokuroria në Prizren nuk i ka përmbushur detyrimet që dalin nga ligji për mbrojtjen e grave nga dhuna në familje.
Gzim Shala, hulumtues i lartë në IKD, tha se nisur nga rrethanat e rastit, Prokuroria Themelore në Prizren e ka ditur ose është dashur të dijë se ndaj tani të ndjerës ekziston një rrezik real vdekjeprurës, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas tij, një vrasje në këto rrethana nga jurisprudenca e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNj), cilësohet si shkelje e të drejtës në jetë, jurisprudencë, kjo detyrimisht e aplikueshme në rendin kushtetues dhe juridik të Kosovës.
“Sipas këtyre standardeve, vrasja e Saime Domazetit është rast tipik i shkeljes së të drejtës në jetë. Nisur nga fakti se Prokuroria Themelore në Prizren që nga data 15 tetor 2022 është në dijeni se Saime Domazeti ka qenë viktimë e dhunës në familje, ndjeshmërinë e viktimës dhe nivelin e dhunës në familje në shoqëri. Kjo prokurori detyrimisht është dashur të dijë se ka një rrezik real dhe të menjëhershëm për jetën e saj”, ka thënë ai.
Tutje, Shala ka thënë se bazuar në dispozitat ligjore, roli i Prokurorit të Shtetit në këtë rast ka qenë që brenda kompetencave ligjore, të ndërmarrë veprime procedurale në drejtim të parandalimit të këtij rreziku.Sipas Shalës, sikur Prokurori i Shtetit në rastin konkret në përputhje me kompetencat e tij të ndërmerrte masat adekuate që e sigurojnë qëndrimin e viktimës larg ushtruesit të dhunës në familje, arsyeshëm besohet se vrasja e Saime Domazetit do të shmangej.
Gjithashtu, Shala ka thënë se as Zyra për Mbrojtje dhe Ndihmë të Viktimave përkundër që për këtë rast ka qenë e njoftuar nga Policia e Kosovës, nuk ka paraqitur kërkesë për caktimin e urdhrit mbrojtës.
Përveç kësaj, hulumtuesi Shala ka thënë se as Qendra për Punë Sociale nuk e kishte referuar fare viktimën në strehimore, më arsyetimin se nga përvoja raste të tilla refuzohen dhe kështu, viktima kishte mbetur nën mëshirën e të dyshuarve për ushtrim të dhunës ndaj saj.
Hulumtuesi Shala, u shpreh se ky nuk është rasti i vetëm ku për shkak të mosveprimeve të shtetit rastet e dhunës në familje kanë përfunduar më vrasje, siç është ai i Sebahate Morinës e Diana Kastratit.
Ndryshe, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) dhe organizata CLARD, me përkrahje të Departamentit të Shtetit Amerikan- Byrosë Ndërkombëtare për Çështje të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit dhe UNMIK-ut, të enjten organizoi konferencë për medie, ku u prezantua analiza me titull “Edhe Saime Domazeti vritet në duar të shtetit”.