Largohen barrikadat në Jarinjë dhe Bërnjak, policia del me njoftimin e fundit

Aktuale

Largohen barrikadat në Jarinjë dhe Bërnjak, policia del me njoftimin e fundit

Më: 30 dhjetor 2022 Në ora: 11:14 Përditësuar në ora: 14:03 më 30.12.2022
Fotografi të postblloqeve të Policisë së Kosovës në vendet ku ishin barrikadat

​Policia: Largohen barrikadat dhe lirohen për qarkullim dy pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak

Është bërë largimi i barrikadave në formën siç ato ishin vendosur, dhe pas kësaj është vlerësuar edhe hapja e dy pikë-kalimeve kufitare Jarinjë dhe Bërnjak, të cilat sot (30.12.2022) në orët e pasdites janë hapur për qarkullim.

Kështu ka njoftuar policia e Kosovës përmes njoftimit për media duke theksuar se, zyrtarët policorë në veri të vendit dhe në këto dy pikë kalime kufitare, do të vazhdojnë me realizimin e detyrave dhe autorizimeve ligjore në interes të rendit publik dhe kushtetues.

Policia e Kosovës (PK), bazuar në autorizimet kushtetuese dhe ligjore në vazhdimësi ka bërë vlerësime mbi situatën e sigurisë në veri të vendit, e cila ishte përkeqësuar që nga data 10.12.2022 kur ishin vendosur barrikadat në rrugë, si pasojë e të cilave ishin mbyllur edhe dy pikë-kalimet kufitare Jarinjë dhe Bërnjak.

Bllokimi i kundërligjshëm i rrugëve, sulmet e kryera ndaj institucioneve të sigurisë, mediave dhe qytetarëve, kishin ndikuar në përkeqësimin e situatës dhe në vështirësimin e jetës së qytetarëve të asaj zone të cilët nuk kanë mundur të kenë lëvizje të lirë si dhe nuk e kanë pasur qasjen e lehtë në shërbimet e tyre të nevojshme.

Edhe përkundër rrethanave të krijuara, Policia e Kosovës ishte angazhuar në të gjitha format që t’u dalë në ndihmë kërkesave dhe nevojave të qytetarëve pa dallim, si dhe të mbajë rendin e sigurinë publike.

Bazuar në informacionet e deritanishme, është bërë largimi i barrikadave në formën siç ato ishin vendosur, dhe pas kësaj është vlerësuar edhe hapja e dy pikë-kalimeve kufitare Jarinjë dhe Bërnjak, të cilat sot (30.12.2022) në orët e pasdites janë hapur për qarkullim.

Zyrtarët policorë në veri të vendit dhe në këto dy pikë kalime kufitare, do të vazhdojnë me realizimin e detyrave dhe autorizimeve ligjore në interes të rendit publik dhe kushtetues.

Liria e lëvizjes së lirë, parandalimi i akteve kriminale dhe ofrimi i sigurisë janë në dobi të të gjithë qytetarëve dhe për këtë Policia e Kosovës në vazhdimësi do të angazhohet duke bashkëpunuar ngushtë me institucionet vendore dhe ndërkombëtare.

Mediat serbe publikojnë fotografi të postblloqeve të Policisë së Kosovës në vendet ku ishin barrikadat

Policia e Kosovës ka vendosur një postblloqe në rrugën Zveçan – Leposaviq, në qytetin e Bistricës.

Nova.rs raporton se në dy vende përgjatë rrugës ka postblloqe betoni me rërë dhe në to janë të pranishëm pjesëtarë të njësisë speciale të policisë së Kosovës.

Në rrugë ka pllaka betoni të ngritura, si dhe një tabelë ku shkruan “ndal policia”.

Policia e bllokon rrugën para kufirit në Jarinjë

Policia e Kosovës e ka bllokuar rrugën afër pikës kufitare në Jarinjë.

Gazetari Genc Godanci, po qëndron atje, prej ku raporton se rruga është bllokuar derisa të merret vendimi për hapjen e kësaj pike kufitare dhe se pastaj rruga do të lëshohet për qarkullim.

Ndryshe, Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar ka bërë të ditur sot se pikat kufitare në Jarinë dhe Bërnjak, vazhdojnë të jenë të mbyllura.

QKMK njofton se në pikat tjerat kufitare nuk ka pritje të gjata, as në hyrje të Kosovës, e as në dalje.

Hiqet barrikada në Zupç, fillon qarkullimi i rregullt

Në këto momente është liruar rruga në Zupç nga barrikadat ilegale të serbëve të veriut.

Qarkullimi në këtë rrugë, siç raporton ekipi i medias nga atje, tashmë ka filluar të zhvillohet normalisht.

Nis heqja e barrikadës edhe në Zupç

Në këto momente ka nisur heqja e barrikadës në fshatin Zupç, barrikadë kjo e vendosur në aksin rrugor që çon në pikën kufitare në Bërnjak.

Gjatë ditës së djeshme, në Rudarë të Zveçanit, rreth orës 15:00 nisi heqja e barrikadës së parë.

Kamionët e autobusët u ndezën nga persona të maskuar.

Ndërkaq, dy kamionë te “Kërshi i Dudës” u dogjën gjatë natës së të enjtes.

Gjatë gjithë kohës, situata po monitorohej nga KFOR-i dhe EULEX-i.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat