BE-ja i druhet dështimit në dialog

Aktuale

BE-ja i druhet dështimit në dialog

Më: 30 dhjetor 2022 Në ora: 19:18
Arkiv

Largimi i barrikadave në komunat veriore ka rikthyer normalitetin edhe në pikat kufitare me Serbinë – Jarinjë dhe Bërnjak. Ato ishin mbyllur prej 10 dhjetorit, kur serbët vendosën mjete të rënda nëpër rrugë për të pamundësuar lëvizjen e lirë. Pas heqjes së barrikadave, në BE bënë thirrje që të investohet në një atmosferë të favorshme për diskutime produktive për normalizim raportesh.

Pikat kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak, janë hapur për qarkullim të premten, pas 20 ditësh bllokadë si pasojë e barrikadave të vendosura nga serbët. Krahas rikthimit të normalitetit në kufi, Policia e Kosovës ka njoftuar të premten se të gjitha barrikadat tashmë janë larguar nga rrugët.

“Bllokimi i kundërligjshëm i rrugëve, sulmet e kryera ndaj institucioneve të sigurisë, mediave dhe qytetarëve, kishin ndikuar në përkeqësimin e situatës dhe në vështirësimin e jetës së qytetarëve të asaj zone, të cilët nuk kanë mundur të kenë lëvizje të lirë, si dhe nuk e kanë pasur qasjen e lehtë në shërbimet e tyre të nevojshme”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak u mbyllën më 10 dhjetor, pasi serbët bllokuan disa rrugë në shenjë revolte ndaj arrestimit të ish-policit të Kosovës, Dejan Pantiq. Ai dyshohet për organizimin e sulmeve ndaj zyrtarëve të komisioneve komunale zgjedhore në veri dhe Policisë së Kosovës.

Serbët nisën largimin e barrikadave pasi Gjykata Themelore në Prishtinë, me kërkesë të Prokurorisë Speciale, ia ndryshoi Pantiqit masën e sigurisë nga paraburgimi në arrest shtëpiak.

Veç plotësimit të kësaj kërkese, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, pretendon se ka marrë garanci ndërkombëtare edhe për përmbushjen e disa kërkesave të tjera dhe paralajmëroi rinisjen e dialogut.

“Sot në mëngjes i thirra përfaqësuesit evropianë dhe u thashë: ‘Kini kujdes, situata është shumë më e rrezikshme dhe më e vështirë sesa mendoni! Në gjysmën e parë të janarit pres që njerëzit e mëdhenj dhe të mëdhenjtë nga bota të vijnë tek unë dhe të më thonë se duhet të arrijmë një marrëveshje. Na presin kohë të vështira, por ne do të luftojmë. Deri më tani ne kemi luftuar dhe kemi fituar, kemi ruajtur paqen dhe stabilitetin”, ka deklaruar Vuçiq.

Pas tensioneve të fundit emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, e ka pranuar se do të jetë vështirë arritja e një kompromisi mes palëve.

“Ajo që ka rëndësi shumë të madhe tash është të mos lejojmë që situata të kthehet në ndonjë krizë tjetër dhe është e rëndësishme që liderët e Kosovës dhe Serbisë të nisin të krijojnë atmosferë të favorshme për diskutime produktive për normalizim raportesh”, ka thënë ai.

Diplomati sllovak ka theksuar se nëse dialogu nuk përmbyllet në vitin 2023, atëherë “duhet nisur gjithçka nga e para”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat