Ismet Ibishi ka folur sot rreth jetës dhe veprës së kolonelit Tahir Zemaj në 20-vjetorin e vrasjes së tij.
Në emisionin Info Magazine, ai ka treguar se fërkimet dhe telashet ndërmjet Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë ardhur kryesisht nga qarqet politike prej Tiranës, në krye me Bujar Bukoshin.
“Mosmarrëveshje ka pasur, gjithmonë kemi bërë ne tërheqje për të mos ardhur deri te më e keqja. Po të vendoseshim, mund të kalonte deri te ajo, por gjithmonë ishim ata që bënin çmos për unitet”.
Ibishi ka shtuar se gjatë luftës në Kosovë, në asnjë mënyrë nuk i kanë treguar dhëmbët ndaj vëllezërve shqiptarë.
“Edhe në ushtritë e rregullta, ku me dekada shkollohen, ka fërkime dhe telashe. Ne përnjëherë ishim grumbulluar pa kritere, të gjitha ata që ishin të vullnetit të mirë për të luftuar një armik shekullor dhe nuk shikonim se kush nga vjen”.
“Mendoj që krejt këto vinin nga qarqet politike prej Tiranës, këtu po them si fajtor kryesor i shoh kreun politik në Tiranë, duke përfshirë edhe Bujar Bukoshin që çështjet politike nuk arrinte apo nuk donte t’i zgjidhte”.
Megjithatë këto telashe, sipas Ibishit, pjesa ushtarake në terren ka arritur që t’i shkaktojë armikut humbje të mëdha.