Njësitet e KFOR-it do t’i largojnë gjatë ditës së sotme kamionët e dëmtuar që ishin të vendosur në barrikada nga serbët në veri të vendit.
Një gjë të tillë e ka bërë të ditur Policia e Kosovës përmes një njoftimi zyrtar.
“Njësitet e KFOR-it do të largojnë mjetet e rënda (kamionët) e dëmtuar, të cilët kanë qenë të vendosur në lokacionin e quajtur ‘Përroi i Zhazhës’.
Për shkaqe pune dhe sigurie, nga mëngjesi një korsi e rrugës mbyllet për qarkullim, përderisa në mesditë përreth dy orë do të mbyllet komplet rruga për qarkullim në drejtimin Mitrovicë - Jarinje, deri sa të largohen mjetet e rënda, për t’u mundësuar qarkullimin dhe lëvizjen e lirë të mjeteve dhe qytetarëve”, thuhet në njoftimin e policisë.
Po ashtu bëhet e ditur se gjatë kësaj kohe njësitet policore do të asistojnë KFOR-in, si dhe do të ri-orientojnë trafikun.