Kurti lejon hyrjen e Patriarkut Porfirije në Kosovë, miratimin ia kërkoi ky ministër

Aktuale

Kurti lejon hyrjen e Patriarkut Porfirije në Kosovë, miratimin ia kërkoi ky ministër

Nga: A.Zh Më: 5 janar 2023 Në ora: 13:22
Patriarku Porfirije

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka pranuar kërkesën e Ministrit për Kthim dhe Komunitete Nenad Rashiq për vizitën e Patriarkut Porfirije në Kosovë.

Lajmin e ka konfirmuar Zyra e Kryeministrit, përmes një komunikate për media, përcjell Bota sot.

Në njoftim thuhet se Patriarku i Kishës Ortodokse serbe, që vjen në Kosovë për festën e Krishtlindjes Ortodokse, do të qëndrojë pa truprojet e tij.

"Sot në mesditë, Ministri për Kthim dhe Komunitete, z. Nenad Rashiq, kërkoi nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, që t’i lejohet Patriarkut të Kishës Ortodokse Serbe që të hyjë në Kosovë, në kuadër të përgatitjeve për festën e Krishtlindjes Ortodokse.

Patriarku Porfirije ka paralajmëruar që sot pasdite do të vijë te vendkalimi kufitar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe se dëshiron të hyjë pa truprojet e tij, edhe pse nuk ka bёrё kёrkesё pёr vizitё sipas dispozitave tё marrëveshjes ekzistuese. Ministrit Rashiq, Kryeministri Kurti iu përgjigj pozitivisht.

Paralajmёrimi i Patriarkut Porfirije se planifikon tё hyjё pa truproje nё Kosovё është edhe një dëshmi e radhës se Kosova është vend më i sigurt se Serbia", thuhet nё njoftimin e Zyrёs sё Kryeministrit.

Patriarkut Porfirije, i ishte ndaluar që të hynte në Kosovë nga pika kufitare e Merdares në dhjetor të vitit të kaluar.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Kosovës, kishte thёnё se Porfirijes i ishte kërkuar që të dënonte apo distancohej nga “veprimet e pjesëtarëve të Kishës që po i ofrojnë përkrahje grupeve kriminale në veri të Kosovës” të cilët janë “përgjegjës për barrikadat”, qё ishin ngritur atë pjesë.

MPJD kishte deklaruar se Porfirije kishte bërë kërkesë më 23 dhjetor që të qëndrojë në Kosovë për tri ditë (26-28 dhjetor).

“Pra, kërkesa për vizitë e Patriarkut Porfirije nuk është refuzuar siç po propagandohet nga Kisha Ortodokse Serbe [KOS] dhe mediat serbe, por është ndërlidhur me deklaratën paraprake të distancimit nga veprimet dhe aktet e lartpërmendura”, thuhej në njoftim./Botasot

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat