Familja s’e dërgon në IML trupin e 63-vjeçarit që vdiq pasi operacioni u konstatua i suksesshëm

Aktuale

Familja s’e dërgon në IML trupin e 63-vjeçarit që vdiq pasi operacioni u konstatua i suksesshëm

Më: 6 janar 2023 Në ora: 13:28
Mjeku

Trupi i pacientit 63-vjeçar, me iniciale E.M. që vdiq në Klinikën e Kardiokirurgjigjisë pasi u konstatua nga mjeku se operacioni ndaj tij përfundoi me sukses, është tërhequr nga spitali nga familjarët e tij për ceremoni të varrimit.

Ky veprim i familjarëve vjen edhe përkundër që Prokuroria i ka nisur hetimet për rastin.

Klan Kosova raporton se trupi i të ndjerit nuk ka shkuar fare në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ndërsa është tërhequr rreth 2 orë pas vdekjes, që konsiderohet procedurë normale në raste të tilla, derisa të përfundojë dokumentacioni spitalor për lëshim të trupit të pajetë.

Familja, siç mësohet, nuk ka ngritur dyshime për vdekjen e tij, prandaj edhe nuk ka kërkuar që trupi të shkojë në IML për ekzaminime të mëtejme.

Megjithatë, meqë hetimet kanë filluar, trupi i viktimës edhe mund të zhvarroset për t’iu nënshtruar autopsisë.

Për këtë rast u raportua ditën e djeshme, ku fillimisht u akuzua mjeku kujdestar, Kushtrim Shala, nga drejtori i Klinikës së Kardiokirurgjisë, Rifat Brahimaj.

“Mjekët që e kanë kryer këtë operacion nuk janë kompetentë për ndërhyrje të tilla sepse ata kanë vështirësi edhe në procedura standarde. Të hysh në një procedurë të tillë pa pasur përvojën e duhur dhe ta paraqitësh si sukses, e pacienti ndërron jetë pas disa orësh, kjo me të vërtetë është hipokrizi”, kishte thënë Brahimaj.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat