Ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL-UÇK-së, Faton Klinaku, ka reaguar ndaj rastit në Shtërpcë, duke shprehur keqardhje për rastin dhe duke iu uruar shërbim të shpejt të plagosurve.
Ai ka kritikuar të gjithë ata që ia kanë bërë gjyqin pjesëtarit të FSK-së, i cili dyshohet për plagosjen e dy të rinjve serbë, ende pa e thënë drejtësia fjalën e saj.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se askush prej politikanëve nuk ka folur për shqiptarin që është mbytur në burg të Serbisë në fund të vitit të kaluar.
“Interesant nga ju, nuk e folët asnjë fjalë për atë shqiptarin që e mbytën në burg të Serbisë, e bash për atë është dashur të merret politika e shtetit tonë dhe ndërkombëtarët, për t’i dërguar Serbisë edhe notë proteste. I quajtët edhe barrikadat me njerëz të armatosur në veri se janë protestues protestues paqësor”, ka shkruar Klinaku.
Sipas tij, me rastin e Shtërpcës do të merret drejtësia dhe do ta thotë në fund fjalën e saj.
“Me rastin në Shtërpcë natyrisht që merret shteti me organet e drejtësisë, që të zbardhet e vërteta se a i është zënë rruga pjesëtarit të FSK-së apo jo, se a e ka bërë aktin në vetëmbrojtje apo jo, dhe fajtori shpallet vetëm kur gjyqësia e shkallës së prerë e konstaton atë. Shpreh keqardhje për atë që ndodhi në Shtërpcë, kërkoj drejtësi pa anime politike e të plagosurve ju dëshiroj shërim të shpejtë”, ka shkruar Klinaku.