Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, për shkak të mungesës së materialit për pasaporta, u ka dërguar një letër autoriteteve gjermane që të lejohen qytetarët e Kosovës, të cilët kanë një leje qëndrimi të vlefshme në Gjermani dhe të marrin shërbime me pasaportë të skaduar të Kosovës.
Zëdhënsja e LDK-së, Sibel Halimi thotë se kjo e dëmton imazhin e Kosovës në sytë e Gjermanisë.
“Do të ishte komike po të mos kishte pasoja në rëndimin e jetesës së qytetarëve dhe bashkatdhetarëve tanë, si dhe në dëmtimin e imazhit të shtetit tonë, letra e Ministrit të Brendshëm drejtuar shtetit gjerman. Përmes kësaj letre, ai i kërkon Gjermanisë që t’i lejojë qytetarët dhe mërgimtarët e Kosovës të udhëtojnë me pasaportë të skaduar deri në qershor 2023”, deklaroi ajo.
Halimi tha se është e pabesueshme që qeveria të mos mund ta zgjidh “një problem kaq bazik për gati gjysmë mandati”.
Ajo u shpreh se shumë shtete e kanë pasur problemin e njëjtë, mirëpo, sipas saj, ato nuk kanë arritur në nivele të tilla “paaftësie”.
“Është e pabesueshme që një qeveri e tërë të mos mund ta zgjidh një problem kaq bazik për gati gjysmë mandati. Shumë shtete kanë hasur në probleme me furnizim në shumë artikuj—përfshirë letrën që përdoret për shtypjen e pasaportave dhe dokumenteve tjera; mirëpo nuk kanë arritur në nivele të tilla paaftësie. Pra, nuk është problemi te pandemia, por te paaftësia. Përveç pengesave në udhëtim për shtetasit tanë, kjo papërgjegjësi dëmton rëndë imazhin e Kosovës në sytë e një shteti mik si Gjermania. Para se t’ia mësyjë anëtarësimit në BE, Qeveria e Kosovës duhet të zgjidh probleme të tilla bazike, të shkaktuara nga paaftësia e kësaj të fundit”, tha ajo.